Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mëson REL nga burimet jozyrtare në Bruksel.
Sipas burimeve, data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Mundësinë e një takimi në nivel kryenegociatorësh gjatë kësaj jave e kishte paralajmëruar kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili kishte deklaruar se takimi megjithatë nuk do të mbahej sepse ishte refuzuar nga Kosova.
Por, ky pretendim i Petkoviqit është mohuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e Lajçakut kanë precizuar se të gjitha takimet në kuadër të dialogut organizohen në data që janë të përshtatshme për të dyja palët dhe për takime njoftohet vetëm pasi palët të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre.
Lajçak konfirmoi për REL-in se ka pasur një ide paraprake që më 7 nëntor të takoheshin kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.
“Pala e Kosovës ka paraqitur një kërkesë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për shtyrjen e takimit, të cilin lehtësuesi i BE-së e ka pranuar. I takon lehtësuesit të BE-së të përcaktojë se cilat kërkesa dhe arsye të ofruara nga palët në lidhje me organizimin e takimeve janë të vlefshme dhe të rëndësishme”, u tha në përgjigje.
Lajçak konfirmoi se tashmë ekziston një pajtim mes palëve për organizimin e takimit të radhës, ndonëse në përgjigje dërguar REL-it nuk përmenden data. Megjithatë, paralajmërohet se në këtë takim do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimi i detyrimeve të palëve në dialog.