Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur sot për mbrojtjen e afërt që i është ofruar Lumir Abdixhikut nga Policia e Kosovës.
Haziri tha kreu i LDK-së po sillet ashtu siç kanë vlerësuar organet e shtetit, por që puna e tij nuk është ndërprerë.
Nënkryetari i LDK-së theksoi se Policia e Kosovës ka kapacitetet e mjaftueshme profesionale për garantim dhe siguri.
“I ka besuar vlerësimeve të organeve të shtetit, dhe po sillet karshi atij vlerësimi. Nuk ka ndërprerë asgjë në punën e tij, në agjendën politike edhe në rutinën e tij. Sepse, policia e shtetit ka kapacitete e mjaftueshme profesionale me siguru, me garantu. Dhe kjo nuk e prek në asnjë mënyrë agjendën e tij, vetëm është rrit kujdesi i organeve të sigurisë. Nuk është për të diskutuar më shumë, sepse morëm vesh që edhe të tjerëve u janë vendosur masa të njëjta. Pasiguri juridike në Kosovë ka, mos të flasim pasiguri fizike, dhe kjo është më problematike dhe më serioze dhe na shqetëson si LDK më shumë”, tha Haziri para mediave.
Lidhur me kërcënimet ka folur edhe i pari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili tha se ka qenë vlerësim i organeve të drejtësisë që t’i ofrohet mbrojtje.
I pari i PDK-së, tha se për më shumë do duhej të tregonte Policia e Kosovës, por që gjithçka lidhet me zhvillimet dhe situatën pas sulmit në fshatin Banjskë.
“Nuk jam, e as sjam ndjerë kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë publikuar informacione për kërcënime me vrasje, siç e dini edhe para pak muajsh, por ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast policisë së Kosovës, e unë besoj edhe në organe tjera të ndërlidhura e të ndërvarura që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye që unë besoj do duhej ata t’i tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe situatën e tensionuar e përkeqësuar pas sulmeve në veriun e vendit”, tha Krasniqi para gazetarëve.