Lajçak edhe sot në Kosovë për draft-statutin e Asociacionit, takohet me krerët e partive opozitare

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka arritur në Prishtinë dje për një vizitë dyditore për t’u takuar me liderët kosovarë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin për hapat e radhës në dialog, Lajçak ka njoftuar për dakordimin lidhur me hapat e ardhshëm në këtë proces. 

“Jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, për të njoftuar për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Po ashtu, jemi pajtuar për hapat e radhës”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Për takimin është njoftuar edhe nga Kryeministria. Në njoftimin e saj është thënë se në takim është diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të zbatimit të dakorduar në Ohër.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Të martën Lajçak do të ketë takime me krerët e partive opozitare në Kosovë, me të cilët pritet të bisedojë konkretisht për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky takim zhvillohet në kohën kur debati mes pushtetit dhe opozitës është mjaft i nxehtë, pavarësisht se Kurtit, nga partitë opozitare, për afro dy vjet i është bërë presion i vazhdueshëm që të pranojë këshillat dhe rekomandimet e aleatëve.

Emisari i BE-së vjen në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, ku Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë në krye me Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku ua prezantuan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern evropian, por përmbajtja e të cilit nuk është bërë e ditur deri më sot.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE për të dyja vendet.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *