Marrëveshja pa nënshkrim

Kryeministri Albin Kurti deklaroi të premten se asociacion të komunave me shumicë serbe s’mund të ketë përderisa nuk ka nënshkrim të marrëveshjes së Ohrit. Por, përkundër kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë zbatimin e saj, pavarësisht se a është hedhur firma në letër apo jo.

Të premten u fol mbi nëntë orë në seancë të Kuvendit për një temë.

Në fund të diskutimeve, doli kryeministri Kurti dhe tha se nuk ka asociacion, për shkak që nuk ka nënshkrim të marrëveshjes me palën serbe.

“S’e kam pranuar ende, nuk e kam pranuar. Dhe kurrfarë pranimi nuk vjen në shprehje pa e parë ju. Sepse se kam pranuar dhe ajo çfarë kam ofruar është që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj. Meqenëse s’ka nënshkrim, s’ka pranim. S’ka pranim – s’ka zbatim. Vetëm nënshkrimi nënkupton pranim”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, kjo gjë nuk po duket se është shumë e rëndësishme për shtetin amerikan.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po thotë se është e parëndësishme se a ka nënshkrim të marrëveshjes apo jo.

Për të, implementim të dakordimit në Ohrit duhet të ketë, si nga ana e Kosovës po ashtu edhe nga ajo e Serbisë.

Pavarësisht që firma e dy përfaqësuesve të dy shteteve nuk është hedhur në letër.

Në të njëjtën linjë sikurse SHBA, janë deklaruar edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Se kjo do të ndodhë, po e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Adrian Çollaku.

Ky po thotë se kryeministri i vendit ka një qëllim pse po e bënë të rëndësishme mosnënshkrimin e marrëveshjes.

Më 18 mars të këtij viti, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Albin Kurti dhe president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ishin pajtuar për një dokument 10 pikësh të propozuar nga BE dhe SHBA.

Por, që nga ajo kohë pavarësisht se kishte pasur marrëveshje mes tyre, nënshkrimi i saj nuk ka ndodhur edhe sot e kësaj dite.

Kjo për shkak që Aleksandër Vuciq po heziton tash e shumë muaj që ta hedh firmën e tij në këtë dokument.

Për dallim nga ai, i gatshëm kurdoherë për ta nënshkruar atë, është shprehur kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *