Petkoviq: Bislimi refuzoi ftesën e BE-së për takim në nivel të kryenegociatorëve

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka pretenduar të hënën se Qeveria e Kosovës ka refuzuar ftesën e Bashkimit Evropian (BE) për një takim në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, do duhej të mbahej më 7 nëntor (nesër, e martë) në Bruksel.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sipas pretendimeve të shefit të ekipit negociator të palës serbe, ua ka dërguar ftesën Kosovës dhe Serbisë të hënën e 30 tetorit për organizimin e një raundi të ri të dialogut që duhej të zhvillohej të martën e 7 nëntorit, porse sipas tij, shefi i ekipit negociator të palës kosovare, Besnik Bislimi, ka refuzuar ftesën.

“Beogradi menjëherë iu përgjigj pozitivisht ftesës më 2 nëntor dhe po ashtu deklaroi se delegacioni ynë do të vijë në Bruksel për bisedime duke pasur parasysh rëndësinë e vazhdimit të bisedimeve, veçanërisht në drejtim të deeskalimit dhe stabilizimit të situatës në terren. Prishtina dhe negociatori i saj, Besnik Bisljimi, thjesht e refuzuan ftesën”, ka pretenduar ai.

Petkoviç ka pretenduar ndër të tjera se Qeveria e Kosovës ka treguar se “nuk është e interesuar për dialog, normalizim dhe deeskalim”, derisa ka akuzuar kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për siç ka thënë ai, synimin për t’i arritur interesat e tij përmes “konfrontimit, dhunës dhe lëvizjeve të njëanshme” kundër komunitetit serb në Kosovë.

E Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë pritet të mbërrijë në Kosovë pasditen e së hënës për t’u takuar me liderët institucionalë e për të vazhduar bisedimet për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështje të tjera në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *