Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH) nuk ka iniciuar një hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Milan Radoiçiq, ish-kryetari i Listës Serbe në Kosovë, ka blerë armë, municion dhe eksplozivë në Tuzla, armatim i cili u përdor në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator.
Në një sulm ndaj policisë së Kosovës atë ditë në fshatin Banjskë afër Zveçanit, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën. U vranë edhe tre sulmues serbë.
“Në Prokurorinë e BeH nuk kemi marrë asnjë raport nga agjencitë policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët, nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e një hetimi. ” tha Boris Grubeshiç, zëdhënës i Prokurorisë së BeH, për Radio Evropën e Lirë në gjuhën serbe.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se Milan Radoiçiq akuzohet për blerjen e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, në verilindje të Bosnjës dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Prokuroria e Beogradit saktësoi se armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, “më së shpeshti në shtrirjen Bubanj Potok – Vërçin”, në juglindje të kryeqytetit të Serbisë. Në deklaratë thuhet se armët më pas i ka transportuar dhe fshehur në objekte dhe pyje të braktisura në Kosovë.
Ramo Isak, Ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, hodhi poshtë akuzat nga Serbia.
“Gjatë të gjitha kontrolleve, operative dhe inteligjente, lidhur me ato pretendime, u konstatua se të gjitha ishin të pavërteta”, tha Isak për Radion Evropa e Lirë.
Përveç policisë së këtij subjekti, në hetim kanë marrë pjesë edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së BeH, Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), ndërsa autoritetet në BeH kanë kërkuar edhe ndihmën e Interpolit në hetim.
Prokuroria e Beogradit nuk iu përgjigj pyetjes së RSE nëse ka prova se armët janë blerë me të vërtetë në Tuzla dhe kush e ka ndihmuar Radoiçiqin në transport. Nuk kishte asnjë përgjigje në pyetjen nëse autoriteteve në Bosnje dhe Hercegovinë u ishte kërkuar të verifikonin pretendimet se armët ishin blerë në Tuzla.
Policia e Kosovës ka ekspozuar një arsenal armësh të konfiskuar pas sulmit në Banjskë. Ai përmban raketahedhës për sulmin e automjeteve luftarake, granatahedhës, pushkë automatike, snajperë, automjete ushtarake, eksplozivë dhe detonatorë, mina kundër tankeve dhe kundër personelit dhe të ngjashme.
Shumica e armëve prodhoheshin në fabrikat serbe dhe ish-jugosllave të armëve.
Armët e sekuestruara në fshatin Banjskë i ka paraqitur policia e Kosovës në detaje për armët e gjetura Arsenal lufte në duart e sulmuesve të policisë së Kosovës.
Institucionet në Kosovë dhe Serbi janë duke zhvilluar dy hetime të veçanta për këtë rast. Qeveria në Kosovë akuzon Serbinë për këtë incident, ndërsa Beogradi zyrtar mohon përfshirjen. Në një letër të hapur drejtuar publikut më 29 shtator, Milan Radoiçiq dha dorëheqjen nga pozita e liderit të Listës Serbe dhe pranoi se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai ka mohuar përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë, si dhe ka mohuar fajësinë për veprat penale të akuzuara nga prokuroria e Beogradit, përkatësisht për blerjen e paligjshme të armëve nga Bosnja dhe Hercegovina.
Pas seancës, Radoiçiq është liruar më 4 tetor dhe i janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se sulmuesit ishin serbë vendas nga Kosova, “të cilët nuk mund të durojnë më terrorin e Kurtit” dhe mohoi përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.