Gjergj Dedaj: Ka pas individë në parti që kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj ka përshkruan raportet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur me partitë politike shqiptare në Prishtinë gjatë kohës së luftës.

Dedaj tha se forca politike në Prishtinë e ka shikuar me xhelozi UÇK-në.

“UÇK-ja që nga shfaqja e saj e parë publike me 28 nëntor ’97 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë domethënë është shikuar me rezervë, por ajo filloi të rritej, të hapej dhe të gëzonte respekt gjithë andej Kosovës dhe forcat politike në Prishtinë e kemi shiku me xhelozi”, tha Dedaj.

I pyetur se a ka pasur tensione në mes UÇK-së dhe forcës politike në Prishtinë, Dedaj tha se ka pasur moskordinim.

“Moskordinim ka pas, mos informim dhe të flas për udhëheqje politike, partitë politike në Prishtinë e kanë shiku me droje dhe me shumë shqetësim shfaqjen e UÇK-së, kësaj guerile që në fakt doli ta bëjë realitet lirinë e Kosovës. Ka pas edhe individë në parti që kanë bërë dezinformuata kundër UÇK-së dhe unë kam pas dëshirë që të shkojë vetë në ato zona duke rreziku jetën tonë.”

Po ashtu, Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.

“Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur të gjithë atë guxim, atë nder dhe atë privilegj me qenë anëtar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, tha Dedaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tha se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asnjëherë nuk do të jetë.

Në fillimin e dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj tregoi për angazhimin e tij profesional duke thënë se në prag të luftës në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës ishte zgjedhur njëri prej nënkryetarëve.

Gjatë shtatorit të vitit 1998, Dedaj tha se ka qenë anëtar i Parlamentit të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.

Dedaj tha se në gusht të 1998 ka qenë i përfshirë në organizimin e një delegacioni nga Parlamentarët që të vizitojnë popullatën civile-lokale në Kosovë.

“Pas një bisede me presidentin dr.Ibrahim Rugova kemi bisedu që do të ishte mirë që udhëheqja e Prishtinës zyrtare që rrinin në Prishtinë dhe nuk e përjetonin mbi supet tona luftës, që të shkonim dhe t’i vizitonim zonat e luftës për të bindur drejtpërdrejtë me situatën e popullatës civile. Prandaj, presidenti Rugova ka bisedu me shefin e misionit diplomatik amerikan që do të ishte mirë ta bëjmë një delegacion prej njerëzve që kanë guxim dhe kurajo që të vizitojnë zonat e luftës”, tha Dedaj.

Ai tha se vizitën e parë e kanë bërë me 29 gusht, duke vazhduar në disa vende dhe së fundi vizitën e katërt e kanë bërë në Drenicë. /BetimipërDrejtësi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *