Në rrugët e Kosovës vazhdon të ketë automjete të viteve 80-ta, të cilat përveç që ndotin ambientin, janë edhe të pasigurta në komunikacion, gjë që shtojnë gjasat për aksidente. Megjithatë, ekspertë dhe drejtues të institucioneve, nuk e shohin të rrugës, që qytetarëve t’iu mundësohen regjistrimi i veturave të kapshme për xhepin e tyre, e të cilat do të ndikonin për një ambient më të mirë dhe siguri më të madhe në rrugë.
Në vendin tonë mbetet në fuqi ligji me të cilin, një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2013-2023, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2013, është i pamundur. Kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë.
Qytetarët janë pro ndryshimit të ligjit aktual, i cili nuk lejon regjistrimin e veturave nga viti 2000-2010. Ata thonë se përveç ruajtjes së ambientit, veturat e viteve 2000, janë më të sigurta se sa ato të viteve të më hershme, të cilat qarkullojnë ende në rrugët e Kosovës.
Kurse, ekspertë të mjedisit dhe komunikacionit e konsiderojnë si të dëmshëm dhe me efekte negative heqjen e kufizimit për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet.
Ka disa vite prej kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka iniciuar plotësim-ndryshimin e ligjit për importin e veturave, ku kërkohet heqja e kufizimit të vjetërsisë, por që ende nuk është marrë një vendim i tillë.
Lushtaku në një prononcim për KosovaPress, thotë se ky ligj në Kosovë është krijuar me një standard të dyfishtë, derisa potencon se një gjë e tillë i duket e padrejtë, por që nuk po gjen pajtueshmëri të deputetëve shumicë që të marrin pjesë në votim.
Ndërkaq, sa i përket akcizës doganore, Lushtaku thotë se nevojiten ndryshime, derisa thekson se për veturat e reja duhet të ketë një normë më të vogël të akcizës’.
Në maj të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës pati diskutuar për lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Zyrtarë të saj patën thënë se “në kuadër të analizave për shikimin e politikave tatimore, janë duke e trajtuar një opsion të tillë”. Por, pavarësisht kësaj, ende nuk ka ndonjë ndryshim të vendimit.
Ministria e Infrastrukturës në një përgjigje përmes emailit, thotë se janë duke hulumtuar mënyrën e rregullimit të importit të automjeteve në funksion të mbrojtës, në kuadër të një projekti të financuar nga Qeveria e Japonisë. MI-ja potencon se pjesë e hulumtimit është mundësia që kufizimi të bëhet përmes euro normave, ku importi kufizohet në euro V.
Ndryshe nga deputeti Lushtaku, lidhur me propozimin që në Kosovë të mund të importohen veturat më të vjetra se 10 vjet, mendon eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi. Ai thotë se me miratimin e këtij vendimi, do të krijohet një deponi e automjeteve në Kosovë.
Ai shton se qeveria duhet të favorizojë importimin e automjeteve të reja në vend të atyre të vjetra.
Ndërkaq, eksperti i mjedisit, Zeqir Veselaj për KosovaPress, thotë se qytetarët e Kosovës duke qenë në gjendje jo të mirë ekonomike, favorizohen nga ky vendim, por që sipas tij, në aspektin mjedisor do të shkaktojë ngarkesë në cilësinë e ajrit.
Ai shton se automjetet janë ndotësit e dytë më të mëdhenj në Kosovë, menjëherë pas termocentraleve, në mungesë të industrisë.
Se qytetarëve iu konvenon një vendim i tillë, e pohojnë vetë ata.
Qytetari Gjergj Lumezi shprehet se po të ndryshohej 10 vjeçari në 15, sa i përket kufizimit, do të ishte më mirë.
Njëjtë mendon edhe Mehdi Gashi, teksa thotë se e ka një veturë të viteve 87’ që nuk e ndërron me asnjë automjet tjetër. Ai shton se ‘ne nuk kemi standarde për të ndryshuar vitet e prodhimit’.
Në nenin 44 të Ligjit për automjete që është miratuar qysh në vitin 2017, thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”. /kp