Në përvjetorin e shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Ramiz Lladrovci ka shkruar se “tri vjet, janë tepër të gjata, për ne, për udhëheqësit tanë të luftës dhe paqes, tri vjet shkëputje fizike nga familja, kombi dhe Republika e Kosovës”.
“Kosova ka nevojë për Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët, sepse e dëshmuan se liria dhe përparimi i Kosovës krah shteteve demokratike ishte gjithçka për ta”, ka theksuar Lladrovci.
Postimi i plotë:
Tri vjet, janë tepër të gjata, për ne, për udhëheqësit tanë të luftës dhe paqes, tri vjet shkëputje fizike nga familja, kombi dhe Republika e Kosovës.
Besimi në drejtësi na bën të shpresojmë se edhe kjo betejë është e fituar, ashtu siç ishte fitorja në rrugën e çlirimit, kur UÇK bashkë me aleancën më të madhe ushtarake, NATO-n, largoi Serbinë okupatore nga Kosova.
Barrën e lirisë së Kosovës e bartën ata që më së shumti e deshtën dhe i besuan popullit të vet, duke mos pyetur për çmim as duke mos bërë matematika dhe demagogji në kurriz të atdheut. Rrethanat i sollën në mesin tonë, në ballë si heronj të luftës dhe heronj të paqes. Të tillë do të jenë përgjithmonë!
Kosova ka nevojë për Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët, sepse e dëshmuan se liria dhe përparimi i Kosovës krah shteteve demokratike ishte gjithçka për ta. I presim faqebardhë, fitimtar. Liria ka emër, ata e lartësuan emrin e UÇK-së dhe Republikën e Kosovës.