Që nga ngurtësimi i asaj që fillimisht ishte “në formë të lëngshme” – planit frankogjerman; Serbia ka shmangur çfarëdo deklarimi që mbi të do të peshojë barra e njohjes “formale ose joformale” të pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Në pranimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vraponte për në Beograd për të mbajtur konferenca të stërzgjatura për media ku krekosej se s’ka pranuar gjë.
Situata bëhej edhe më qesharake kur thoshte se do ta zbatojë Marrëveshjen Bazë, brenda disa vijave të kuqe, e ku në të njëjtën kohë ende pretendon që s’e ka pranuar.
E në këto vija të kuqe; ai thotë se është “njohja e Kosovës, as de facto as de jure”; “njohja e integritetit territorial të Kosovës” si dhe “anëtarësimi i Kosovës në OKB”.
Deklarimet e ndërmjetësve – por edhe të bashkësisë ndërkombëtare – i shkonin për shtati për arsyen e vetme që lajtmotiv ishte Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe; teksa kërkesa për njohje “de facto”, që interpretohet të jetë konstituent i Marrëveshjes Bazë, mbahej nën volumin e dëgjueshmërisë.
Por, nga takimet në fund të tetorit në Bruksel – pas vizitës dhe planit të “pesëshes së madhe” – nga tre liderët e shteteve më të fuqishme të BE-së – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – më në fund u shqiptua kërkesa e prerë ndaj Beogradit: “Serbia duhet të jep njohjen de facto” ndaj Kosovës, siç është zoturar në Marrëveshjen Bazike.
E për ta riforcuar këtë kërkesë në tonet e saj edhe më të larta, ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila përveç në Prishtinë; edhe në Beograd e deklaroi saktësisht të njëjtën.
“Serbia duhet të ‘de facto’ njohë Kosovën”.
Por, për Serbinë kjo është “veç sa për të kënaqur veshët e Prishtinës”.
Kështë së paku u deklarua Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pyetur rreth deklarimeve të von der Leyen, ku kategorikisht mohoi që mund të ketë “njohje de facto”; ndonëse njohja “de facto” s’është edhe ashtu që shënjon ndonjë ndryshim të madh nga Marrëveshja e Brukselit (2013) që vetë Daçiq e ka nënshkruar.
“Ky term (njohje de facto) nuk ekziston në aktet dhe dokumentet e Bashkimit Evropian ose në ndonjë dokument në dialogun Beograd-Prishtinë, pra kurrëkund s’është e shkruar; kjo fjalë u përdor për të kënaqur veshët e Prishtinës, që të duket se paskan marrë diçka”, ka thënë Daçiq, siç e citoi RTV.
Daçiq u thirr në fjalë të Presidentit të Serbisë se nuk do të ketë njohje “as formale apo joformale”.
“Ursula von der Leyen provoi këtu të shpjegojë për nga fakti se ne mundësisht mund të tregojmë përmes disa veprimeve që (Kosova) është entitet i ndarë, dhe se është interpretim i papranueshëm”, tha Daçiq, teksa edhe përdrodhi një deklarim të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se dialogu “nuk është për njohe por për normalizim të marrëdhënieve”.
Kryediplomati serb madje iu drejtua BE-së duke thënë se me imponimin e tyre në vitin 2013 kur Serbisë iu kërkua nënshkrimi i Marrëveshjesn e Brukselit, “BE vendosi në vijë tërë integritetin dhe kredibilitetin e tyre” ngase kjo për Beogradin “ishte tejet e vështirë”.
“Nëse nuk themelohet Asociacioni, është iluzive të flasim për pika tjera, sepse kjo është esenca”, tha Daçiq, teksa qëndroi në linjën e kahershme se “Asociacioni është prerekuizita”.
Daçiq madje tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk po e kupton këtë” dhe se “po beson se është njëfarë rruge drejt njohjes”.
“Ky është thelbi, do të thotë normalizimi i marrëdhënieve pa paragjykuar çështjen e statusit. Dhe ky ka qenë gjithmonë qëllimi i negociatave në Bruksel”, tha ai dhe kujtoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk pranon dhe nuk e kupton sepse beson se kjo është rruga drejt njohjes së Kosovës”.