Shpenzimet gjashtë mujore në Ministrinë e Shëndetësisë, kapin shifrën e 8 mijë e 297 euro.
Këto para u shpenzuan nga ministri Arben Vitia dhe dy zëvendësit e tij, Dafina Gexha-Bunjaku dhe Arsim Berisha.
Sipas të dhënave që ka siguruar Telegrafi nga qasja në dokumentet publike, ministri Arben Vitia i vetëm për gjashtë muaj shpenzoi 4 mijë e 317 euro.
Pas tij, renditet zëvendësministri Arsim Berisha i cili nga janari deri në qershor, në total shpenzoi 2 mijë e 765 euro.
Në anën tjetër zëvendësministrja Dafina Gexha-Bunjaku për të njëjtën periudhë shpenzoi 1 mijë e 154 euro.
Nga 8 mijë e 297 euro që u shpenzuan në total nga treshja e MSh-së, 643 euro u shpenzuan për udhëtime zyrtare të cilat ministri Arben Vitia dhe zëvendësi i tij Arsim Berisha i realizuan në Tiranë dhe Gjermani.
Sipas të dhënave nga qasja në dokumentet publike, figuron se treshja e Ministrisë së Shëndetësisë, i shpenzuan edhe 3 mijë e 550 euro, por për të njëjtat nuk është cekur se ku janë shpenzuar.
Në dokumente shpenzimi i këtyre mjeteve figuron vetëm si “shpenzimet e reprezentacionit”.
Në anën tjetër për gjashtë muaj Vitia, Gexha-Bunjaku dhe Berisha shpenzuan në total 722 euro për telefoni mobile. Kurse për karburant të njëjtit shpenzuan trefishin e parave që harxhuan për telefon.
3 mijë e 381 euro kapin shifrën shpenzimet për karburant nga treshja e MSh-së për periudhën janar-qershor.
Nga to 1 mijë e 458 euro i shpenzoi ministri Arben Vitia, 1 mijë e 385 euro të tjera u shpenzuan nga zëvendësministri Arsim Berisha, kurse zëvendësministrja Dafina Gexha-Bunjaku shpenzoi vetëm 538 euro.