Sveçla: Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet në spitale

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është zotuar të shtunën se pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të trajtohen me prioritet në spitalet e Kosovës.

Ai e ka bërë këtë deklaratë, teksa e ka prezantuar arritjen e një marrëveshjeje mes Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe Policisë së Kosovës, për “mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore” të zyrtarëve policorë.

“Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet, përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Sipas ministrit, personelit policorë dhe rekrutëve “do t’iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale”.

Sveçla ka përmendur, po ashtu, se marrëveshja i ka dhënë rëndësi të veçantë edhe shëndetit të zyrtarëve gra në Polici të Kosovës, përmes kontrolleve specifike.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.

Ditë më parë, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës i ka prezantuar shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *