Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për deklaratën e tij në lidhje me draft-statutin e Asociacionit.
Abdixhiku ka shprehur keqardhjen për mosprezantimin e këtij dokumenti nga kryeministri, duke e karakterizuar pranimin e tij si një akt të rëndësishëm ndërkombëtar që është zotuar institucionalisht nga populli i Kosovës nëpërmjet përfaqësuesve të tij.
Ai ka theksuar se dokumenti është mbajtur në terr të plotë informativ dhe ende nuk i është prezantuar qytetarëve e deputetëve të Kosovës.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se kjo seancë e Kuvendit humbet kuptimin përmbajtjesor, pasi do të duhet të flitet për një çështje të pranuar zyrtarisht dhe të shndërruar në një “zotim ndërkombëtar”.
“Kryeministër, bëhet fjalë për jetë të humbura për këtë kauzë. E kam vështirë ta kuptojë kundërthënien e llojit ‘jam i gatshëm ta nënshkruajë qysh sonte por s’e kam pranuar’, këtë s’e kuptoj. Është e trishtë ndjej keqardhje. Nesër bëhen saktësisht dy javë që nga dita e pranit të Asociacionit, akti i pranimit të këtij dokumenti nga kryeministri në prani të udhëheqësve të vendeve të BE-së, ka natyrë të një zotimi ndërkombëtarë që nisë si zotim institucional i popullit të Kosovës e shprehur nëpërmjet të përfaqësuesve të tij, përkatësisht kryeministrit të vendit”, është shprehur ai.
“Kryeministri ka pranuar një dokument që për herë të parë definon satutin e Asociacionit ne vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativë. Një dokument kaq jetik i dakorduar tashmë në raport me Serbinë vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Si LDK kemi kërkuar qasje në këtë dokument jo vetëm për deputetët tanë por për të gjithë deputetët e Kuvendit”, ka deklaruar tutje Abdixhiku para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Abdixhiku gjithashtu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë qëndrime kontradiktore në lidhje me përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.
Në veçanti, ai ka theksuar se Kurti pretendon se statuti i Asociacionit është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, ndërsa presidentja Osmani shfaq hezitimin dhe ka njoftuar dërgimin e komenteve në Gjykatën Kushtetuese, duke treguar kështu sipas tij, një mospërputhje kushtetuese.
“Kjo seancë humbet kuptimin përmbajtjesor sepse do të duhej të flisnim për një materie të pranuar zyrtarisht të shndërruar tani në zotim ndërkombëtarë. Kryeministri dhe Presidentja që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kurti pretendon se statuti i Asociacionit të tij pretendon se është në përputhej me Gjykatën Kushtetuese, presidentja si pranuese e po të njëjtit dokument shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tij dhe jo vetëm aq njofton dërgimin e komenteve në Gjykatë Kushtetues në rastin e parë si shenjë e parë e mospërputhjes kushtetuese”, ka deklaruar Abdixhiku.