Në kërkim të provave nëpër shtëpitë e ish-këshilltarëve të Thaçit, çfarë konfiskoi Specialja gjatë “fushatës së bastisjeve”

Katër bastisje për tri ditë. Gjykata Speciale u dha leje zyrtarëve të ZPS-së që këtë javë të kërkonin prova të mundshme nëpër shtëpitë dhe banesat e ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi. Aksionet u konsideruan politike nga ata që folën, dhe kundërkushtetuese e jologjike nga avokati Artan Qerkini, i cili paralajmëroi se mund të ndërmarrin hapa ligjorë për t’i kundërshtuar këtë që ai e quajti “fushatë të bastisjes”.

Zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar u kthyen këtë javë në Kosovë. Angazhimi i radhës përbënte bastisjen e shtëpive dhe pronave të ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Prokuroria e ndërkombtarizuar nisi të hënën në mëngjes me bastisje në banesën e Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt, që të dy dikur kishin qenë këshilltarë të Thaçit, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati i tyre, Artan Qerkini tha se ata nuk ishin të dyshuar, ndërsa tregoi se zyrtarët e ZPS-së me urdhër të Gjykatës Speciale konfiskuan materiale që sipas tyre, ndërlidheshin me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Ai tha se bastisjet u bënë me arsyetimin se “mund të gjenden prova me relevancë për procedurat që janë duke u zhvilluar”. Por pati vërejtje se “Gjykata me lehtësi shumë të madhe po i lëshon urdhrat për bastisje, sepse dihet që me këto urdhra cenohen të drejtat kushtetuese të personit, cenohet paprekshmëria e banesës, cenohet privatësia”.

Bastisja në shtëpinë e Shalës, avokati tha se ishte aksion i shkurtër dhe përfundoi shpejt, ndërsa për bastisjen në shtëpinë e Smakajt foli më gjatë. Deklarimin para gazetarëve e nisi duke pyetur se “si ka mundësi që të kenë qasje në shtëpinë e një ish-shefi të shërbimit të inteligjencës persona që nuk e kanë certifikatën e sigurisë”.

Te Smakaj, avokati tha se janë marrë disa dokumente, të cilat aktualisht nuk dihen se të çfarë rëndësie janë. “Dokumentet janë marrë. A është marrë ndonjë dokument që është i ndjeshëm për sigurinë e shtetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet”, tha ai, ndërsa paralajmëroi se “do të ndërmerren edhe procedurat e nevojshme ligjore nëse është marrë ndonjë dokument i kësaj natyre”.

Për klientin e tij, Qerkini tha se “s’ka pasur kurrfarë kontakti me dëshmitarë” dhe se “nuk është intervistuar dhe nuk ka pranuar kërkesë që të intervistohet”, nga ZPS-ja.

Të martën, bastisje u kryen edhe në banesën e Artan Behramit ish-këshilltarit tjetër të Thaçit. Avokati Artan Qerkini paralajmëroi se mund të ndërmarrin “hapa konkretë, ligjorë për ta kundërshtuar këtë veprim i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Para gazetarëve ai tregoi se në banesën e Behramit u konfiskuan “pajisje dhe dokumente që nuk kanë fare relevancë” për gjykimet. “Imagjinoni, janë konfiskuar iPad-ët e fëmijve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijve”, tha ai.

“Edhe bastisja e sotme ishte një përpjekje e dëshpëruar e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të siguruar kinse prova për procedurat të cilat janë në rrjedhë e sipër në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai, duke i quajtur bastisjet edhe jologjike.

“Cili person do të mbajë në banesën e vetë diçka inkriminuese duke e ditur për këtë gjueti masive të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtëpitë dhe pronat e shtetasve të Republikës së Kosovë”, tha Qerkini.

Behrami tregoi se ia kishin konfiskuar telefonin, ndërsa bastisjen e përshkroi si “aksion politik”.

“Edhe aksioni i sotëm është aksion politik. Ka qëllim politik dhe ka vetëm një qëllim të vetëm: t’i mbulojë dështimet e njëpasnjëshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë”, tha ai.

Behrami e quajti “spektakël” bastisjen në shtëpinë e tij, ndërsa tha se Gjykata Speciale po tenton “ta zhvendos vëmendjen nga Haga në Kosovë”.

“Është duke investuar më shumë në propagandë sesa në drejtësi, për çka është krijuar kjo gjykatë”, tha ai.

Dhe dje ishte radha e Ismail Sylës, ish-këshilltarit tjetër të Thaçit. ZPS i shkoi në shtëpi të mërkurën. Atij iu konfiskua telefoni.

Avokati Qerkini tha se njësoj si te pronat e të tjerëve, edhe te Syla kishin kërkuar dëshmi të mundshme në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Edhe ai, si z. Behrami e disa të tjerë nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar, por edhe përkundër faktit që nuk e kanë statusin e personit të dyshuar ata po bastisen. Mendoj se kjo është shkelje kushtetuese dhe ligjore, mirëpo ne këto shqetësime do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës”, tha Qerkini.

Dje, Artan Behrami publikoi një kërkesë që ia kishte dërguar Gjykatës Speciale. Kërkonte t’i kthehen tabletët e fëmijëve të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *