Nën dyshimin për dallavere në tre tenderë, Nagip Krasniqi, kryeshef i pezulluar i Korporatës Energjetike të Kosovës, disa muaj ka qëndruar në paraburgim. Demokracia.com ka gjetur se prokurimi i korporatës po procedon që disa herë kundërligjshëm edhe në tenderin për sigurimin e objekteve të KEK-ut.
Ndërmarrja publike që prodhon rrymë realizon tenderë të mëdhenj edhe për t’i siguruar dhe ruajtur objektet e veta.
Viteve të fundit është bërë “lëmsh” çështja e tenderëve të sigurimit të KEK-ut. Për shkak se po e shkelë Ligjin e Prokurimit Publik – LPP, KEK-u nuk po mund të lidh kontrata të rregullta (me ofertë të hapur), ku do të kishin mundësi të ofertonin shumë operatorë. KEK-u ka vendosur të procedojë me kontrata me negocim.
Si erdhi deri te shkelja?
Fillimisht, më 21 nëntor 2022, në faqen e KRPP-së është bërë thirrja për ‘njoftim për kontratë’, me procedurë të hapur të vlerës së madhe për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut.
Vlera e parashikuar e kontratës për një vit ka qenë 2,691,148.98 euro, shkruan Demokracia.com.
Dosja e tenderit u shkarkua nga disa kompani.
Njëra nga to konsideroi që aty janë vendosur disa kritere të kundërligjshme dhe bëri parashtresë, ku kërkoi që kriteret të ndërrohen.
Ankesa i është hedhur poshtë nga zyra e prokurimit dhe kësisoj kompania është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik – OSHP.
Ky organ autorizoi ekspertin e vet që të shoshisë pretendimet e kompanisë ankuese. Eksperti gjeti shkelje dhe i rekomandoi Panelit të OSHP-së që të miratojë ankesën dhe AK të bëjë përmirësimet në dosje të tenderit, si dhe të zgjasë afatin për ofertim.
Paneli nuk e mori lëndën në trajtim për disa javë, pasi ishte i zënë më tenderë të tjerë. Meqë tenderi i vlerës së madhe ishte në pezullim deri të trajtohej nga Paneli i OSHP-së, zyra e prokurimit të KEK-ut vendosi që të realizojë një tender emergjent me procedurë të negociuar për sigurimin e objekteve.
Më pas, më datë 12 prill, Paneli i OSHP-së ka marrë vendim për tenderin e vlerës së madhe, duke e obliguar KEK-un që të anulojë në tërsi “njoftimin për kontratë”. (Doc)
Çfarë shkelje gjeti OSHP-ja?
Një kërkesë e autoritetit kontraktues ka qenë se “në rast se u jepet kontrata juve, para se ta nënshkruani kontratën, ju duhet të depozitoni një siguri të ekzekutimit në vlerë prej 50 % të vlerës së kontratës, për një periudhë të vlefshmërisë prej 30 ditë pas përfundimit të kontratës”.
Një kërkesë e tillë është konsideruar e papërballueshme për OE-të dhe e panevojshme, pasi sipas LPP-së i obligon AK-të që siguria e ekzekutimit të jetë 10% konform dispozitave ligjore vetëm në raste se ndonjë OE oferton me çmim jo-normalisht të ulët, atëherë ka të drejtë AK që të rris atë deri në një përqindje tjetër qoftë edhe kjo 50%, mirëpo dihen rastet kur kjo përqindje (%) mund të kërkohet dhe jo në përgjithësi.
“Sa i përket këtij pretendimi ankimor nuk është e drejtë e AK-së të kërkojë në dosjen e tenderit sigurimin e ekzekutimit 50% pasi me këtë kërkesë AK-ja ka larguar konkurrencën, gjithashtu është në kundërshtim me kushtet e përgjithshme/veçanta të kontratës. Në bazë të nenit 63 të paragrafi 2 i LPP-së të jetë i barabartë apo më së paku 10% po e citojmë nenin: 2. Autoriteti kontraktues do të sigurojë që shuma e çfarëdo sigurie të ekzekutimit që kërkohet nga paragrafi I këtij neni: (i) të jetë e barabartë më së paku dhjetëpërqind (10%) të vlerës së kontratës dhe (ii) përndryshe është vendosur në një nivel që është në përputhshmëri me praktikat e zakonshme publike dhe afariste të aplikueshme ndaj llojit të veçantë dhe lëndës së kontratës përkatëse. Gjithashtu edhe në bazë të LPP-së dhe në bazë të RRPP dhe UDHPP kjo kërkesë duhet të jetë vetëm 10% si kërkesë e dosjes së tenderit”, ka vlerësuar Paneli i OSHP-së.
Më datën 18 prill, KEK-u e ka anuluar në tërësi aktivitetin e prokurimit, siç e ka urdhëruar OSHP dhe më pas ka hapur tender të ri nga fillimi.
Më datë 1 maj, në faqen E-prokurimi, KEK-u është obliguar që të realizojë përsëri një tender i ri, i cili përsëri është realizuar më procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Në ndërkohë, më 2 gusht, KEK-u ka shpallur fituesin e tenderit të ofertës së hapur. Për kontratë është rekomanduar kompania “Internat Security A Association” Shpk në vlerë të ofertës prej 2,720,579.85 euro.
Por, me këtë vendim nuk janë pajtuar dy kompani garuese, duke konsideruar se KEK-u bëri shkelje kur rekomandoi për kontratë kompaninë e lartshënuar, si dhe i eliminoi ato pa të drejtë. Ankesat janë hedhur poshtë nga korporata dhe më pas ato i janë drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP. Ky institucion e ka autorizuar eksperten e vet, Blersina Huruglica, për të shoshitur provat. Ajo ka gjetur shkelje nga ana e KEK-ut, duke rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.
Para vitit 2004, objektet e KEK-ut siguroheshin nga punëtorët e korporatës, në kuadër të së cilës ekzistonte sigurimi. Tash ata punëtorë transferohen tek kompanitë e sigurimeve sa herë që një nga ato e fiton tenderin. Si rezultat, dhjetëra punëtorë të korporatës janë zhgënjyer me menaxhmentin e ri për realizimin e tenderëve. Shpresa e tyre ka qenë që do të rikthehen ashtu siç kanë qenë para 18 viteve dhe mos të huazohen më nëpër kompanitë private, por të jenë nën kupolën e KEK-ut, shkruan Demokracia.com.
Fillimisht, këto ditë punëtorët e sigurimit fizik në KEK kanë protestuar para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me kërkesë që të kthehen në kuadër të kësaj ndërmarrjeje.
Protestuesit thonë se ishin “huazuar” për tri vjet dhe që nga viti 2007 kanë bërë më se 200 protesta. Ata rikujtuan se kërkesat e tyre ishin përkrahur nga Vetëvendosje, para se të vinte në pushtet. Kryetari i Sindikatës së këtyre punëtorëve, Nexhat Murati, tha se do të hyjnë në grevë nga data 13 nëntor dhe do të vendosen me tenda para kompanisë. Sipas tij, kërkesat e tyre janë legjitime dhe nuk po kërkojnë lëmoshë, por vetëm drejtësi.
“Ne i kërkojmë KEK-ut një takim urgjent për me na dhënë një mundësi mos me hy në grevë me 13 të këtij muaji. Janë mbi 200 protesta që i kemi bërë për këtë çështje. Na nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë drejtësi. Drejtësia është në anën tonë dhe nuk do të ndalemi”.
“Na e njoftojmë edhe njëherë KEK-un mos të bëjë ato gabime me njerëz të cilët nuk e kanë as edhe 1 javë ditë me dalë në pension e me bë hajgare me këta punëtorë, sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër pos grevës. Këtë grevë do të mbajmë pikërisht këtu me një tendë më 13 nëntor. Lejen e kemi marrë nga Komuna, në bashkëpunim me Policinë. Ju bëjmë thirrje që të marrin masa sa më të shpejta se nuk kemi më ku me shku. Këtë herë janë duke na mbështetur për muri”, ka thënë ai.
KEK-u: Nuk janë punëtorë tanë
Lidhur me paralajmërimin për protestë nga ish punëtorët e sigurimit fizik, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë organizim sindikal nga dy sindikatat aktive të KEK-ut, por për sindikatën e ish punëtorëve të sigurimit fizik, të cilët nuk kanë kontratë me korporatën tash e 19 vite.
“Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se në bazë të dokumentacionit të cilin kemi trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u para 19 viteve (pra në vitin 2004) sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosoves, andaj nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik. Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”, thuhet në një reagim të KEK-ut.
Për më tepër, korporata thotë se në bazë të dokumentacionit që posedojnë asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a. Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a., pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005.
Çka thoshte partia në pushtet para shumë viteve për punëtorët e sigurimit të KEK-ut?
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2012, në një njoftim për media bënte të ditur se mbështet punëtorët e sigurimit të KEK-ut, sepse, sipas tyre, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria” janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira.
Ndarja e ndërmarrjes energjetike në shumë njësi të veçanta e të pavarura nga ajo, përkatësisht procesi që u quajt “korporatizim”, sipas Vetëvendosjes. ishte një mënyrë për t’u larguar nga obligimet që ndërmarrja ka ndaj punëtorëve të saj.
“Humbjet që u shkaktuan nga korrupsioni i emisarëve politikë në bordin e KEK-ut i janë faturuar dhe po i faturohen punëtorëve”, thuhej në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ndarja e njësive nga KEK-u, sipas kësaj lëvizje, bëhej me justifikimin se ndërrmarrjes po i rritet efiçienca dhe po ashtu po rritet pëlqyeshmëria e koorporatave që duan ta blejnë këtë ndërmarrje publike, duke qenë se po zvogëlohet numri i punëtorëve.
“As njëra e as tjetra nuk ka ndodhur. KEK-u ka larguar njerëz nga puna, por çorganizimi në KEK vetëm është rritur, po ashtu dhe korrupsioni. KEK-un e ka sjellë në këtë gjendje politika e korruptuar e menaxhmentit të tij. Menaxhmenti i tij është reflektim direkt i politikave qeveritare.”
Lëvizja Vetëvendosje thoshte se mbështet plotësisht protestat dhe kërkesat e punëtorëve të sigurimit.
“Ne e kundërshtojmë praktikën e nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve dhe të mosmbrojtjes së punëtorëve nga asnjë instancë e pushtetit. Punëtorët në Kosovë historikisht dhe aktualisht janë arsyeja dhe baza e pasurisë sonë të përbashkët. Këtë pasuri që e kanë krijuar ata jemi të obliguar ta mbrojmë të gjithë, duke u obliguar kështu t’i mbrojmë edhe punëtorët”.
Komunikata nuk është më në uebin e LVV-së. /Demokracia.com/