Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla lidhur me të ardhurat që kanë marrë pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë së Kosovës nxitën reagime të shumta në opinionin publik. Kjo pasi sipas Ligjit për Paga, polici i lartë merr pagë bazë vetëm 619 euro, e jo siç thanë Kurti e Sveçla që të njëjtit patën të ardhura deri në 2 mijë e 200 euro. Kryesindikalistit Imer Zeqiri deklaroi dje se mbi dy mijë euro mund t’i marrin policët vetëm nga të ardhurat përmes orëve shtesë.
Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim protestuan dje para Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendimin lidhur me shtesat e rrezikshmërisë. Kategorizimi si njësi e veçantë, rrezikshmëria të përcaktohet në 50% e pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës janë tri kërkesat kryesore te tyre. Në rast të mos përmbushjes ata paralajmëruan edhe veprime tjera.
E këtyre kërkesave të këtyre njësiteve iu përgjigj kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla disa orë pas.
Kurti tha se 27 për qind e pjesëtarëve të Policisë kanë pasur të hyra më shumë se 1000 euro në muaj.
”Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, ka thënë Kurti ndër tjerash.
E Sveçla deklaroi se ka policë të cilët të ardhurat mesatare mujore e kanë mbi 2 mijë e 200 euro.
“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka thënë ai dje.
Ndaj kësaj deklarate reagoi dje edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Ai tha se kaq ka mundur të arrihet një pagë duke pasur parasysh orët shtesë.
”Varësisht se cila është grada e tij, a është polic, rreshter apo toger brenda këtij njësiti. Nëse e marrim një polic të lartë që e ka koeficienti 5.9 aktualisht paga e tij është 619 euro dhe kur llogaritet që ky njësit para implementimit ë ligjit të pagat ka pas shtesë për rrezikshmërisë 215 euro dhe plus 100 euro me një vendim të qeverisë i bie 315 euro, shtesë që nga implementimi i pagave nuk e kanë pranu asnjëherë”, ka thënë ai dje në emisionin “Frontal”, në T7.
Por sa në të vërtetë paguhen policët e Kosovës?
Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.
Dy Njësitet që protestuan dje llogariten të jenë në kategorinë e policëve të lartë. E një polic i lartë ka pagë bazë 619 euro.
Ata me gradën polic marrin 525 euro pagë, teksa polici i ri 472 euro.
Më së paku paguhen kadetët, 210 euro.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar të premten shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.
Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.