Gjatë të mërkurës, dy njësitet elitare të policisë së Kosovës, Njësia Speciale Intervenuese dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim, shprehën pakënaqësinë lidhur me shtesat në paga dhe pagesën e rrezikshmërisë.
Pjesëtarët e këtyre dy njësiteve, dolën për të protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës.
E sot, Klankosova.tv nga burime brenda institucionit të Policisë, raportoi se protestë po zhvillon edhe Njësia Speciale Operative.
Por, për këtë protestë, nga Policia e Kosovës thanë se s’dinë gjë.
“Referuar kërkesës suaj për informacione, ju njoftojmë se deri në këto momente nuk ka ndonjë kërkesë apo ndonjë informacion zyrtar për paralajmërim të protestës nga njësi tjera të PK-së, gjegjësisht NjSO”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për Media të PK-së për Klankosova.tv.
Megjithatë, burimet i kanë thënë Klanit se pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative protestën do ta zhvillojnë në zyrat e tyre, për dallim nga kolegët e tyre të cilët dje protestuan para ndërtesës së Qeverisë.