Lekaj për Rizvanollin: T’i mbledhë çaklat e të shkojë në shtëpi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk e meriton të jetë ministre me sjelljet e saj karshi punëtorëve grevistëve të Trepçës.

Madje Lekaj tha se Rizvanollit nuk i ka mbetur gjë tjetër “përpos t’i mbledhë çaklat dhe të shkojë në shtëpi”.

“Unë mendoj që kjo ministre nuk e meriton që të jetë minister vetëm me sjelljet e saj ndaj grevistëve mendoj që asaj nuk i ka mbetë tjetër përpos ti mbledhë çaklat dhe të shkojë në shtëpi e them me plotkuptimin e fjalës sepse të injorohet kërkesa  legjitime e grevistëve që janë për kushtet për sigurime shëndetësore dhe për shkarkimin e një kryeshefi ekzekutiv ushtrues detyre që i duhen pesë minuta me u shkarku të vijë dhe ti bie ë rrezik jetën e  grevistëve është turp”, tha Lekaj.

Derisa sipas tij, edhe kryeshefi duhet të shkojë në shtëpi, pasi sipas tij, ai është i vetmi fajtor për gjendjen e krijuar në shoqërinë aksionare Trepça.

“Kryeshefi duhet të shkojë në shtëpi, po e them pa politikë. Sepse është dashtë që në ditën e parë, sepse e ka pru Trepçën shoqërinë aksionare “Trepça” afër falimentimit. Është direkt faji i menaxhmentit, sepse sikur mos të ishte nuk ishin 300 minatorë në zgafellë atje”, tha ai.

Kujtojmë që ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë ditës së djeshme nuk ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”. Kjo pasi ajo ka njoftuar se është në një udhëtim jashtë vendit.

Derisa e njëjta në Tëvë1, tha se qysh nga java e kaluar kur e ka marrë ftesën, e ka informuar komisionin parlamentar se do të jetë në udhëtim në Francë dhe pastaj në Gjermani.

Teksa ka theksuar se greva e minatorëve në ndërrmarjen “Trepça” nuk është në përputhje dhe nuk i plotëson standardet sipas ligjit.

Kujtojmë që minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës.

Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *