Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përdorur çështjen e nënshkrimit si armë të fortë për ta paraqitur Kosovën si palë konstruktive në procesin e dialogut. Këtë e bëri edhe javën e kaluar në Bruksel kur para tre liderëve të kryesorë të vendeve të BE’së u ofrua të nënshkruajë, ndërsa Vuçiq jo. Por, në rastin e Kosovës dhe Serbisë duket se sponsorët e bisedimeve s’janë të interesuar për ceremoni dhe potencojnë se “ka marrëveshje edhe pa nënshkrim”
Mos nënshkrimin nga Serbia, kryeministri Albin Kurti e ka përdorur si argument edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, ku Kosova ka dhënë pajtimin për një sërë pikash, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Ne erdhëm në Ohër për të nënshkruan marrëveshjen bazë, me një aneks. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes”, kishte thënë Kurti pas takimit në Maqedoninë ë Veriut.
Historisë së nënshkrimit, Kurti i është kthyer përsëri pas diskutimeve të fundit në Bruksel, ku ai dhe presidenti serb, Aleksander Vucic, janë takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin Olaf Scholz, kryeministren Meloni dhe Charles Michel, Josep Borell dhe Miroslav Lajcak.
Pas takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin, ndërkohë ka treguar që Kosova përsëri ka ofruar që të nënshkruajë, gjë që sipas tij s’ka qenë gatishmëri e Serbisë. Kurti ka thënë që përveç që Serbia s’ka pranuar nënshkrim, Vuçiq ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore për zhbërjen e tri parimeve të Marrëveshjes Bazë, Aneksit dhe draftit për Asociacionin të propozuar nga pesë emisarët.
“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës të datës 26 tetor.
Megjithatë pavarësisht këtij insistimi të kryeministrit Albin Kurti tek nënshkrimi, qëndrimi amerikan mbetet i pandryshuar që nga Ohri, se nënshkrimi është i parëndësishëm derisa palët zotohen dhe marrin obligime.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedë për gazetarë pas Ohrit kishte deklaruar se çështja nënshkrimit nuk është e rëndësishme pasi dy palët, me vullnetin e tyre, kanë pranuar t’i marrin obligimet përsipër.
“Zëvendëspresidenti Borrell e ka bërë shumë të qartë në deklaratën e tij për shtyp se çfarë kemi është një takim mendimesh, kemi një zotim, dhe tani kemi obligime nga të dyja palët. Dhe të dyja palët do të gjykohen në rrugën e tyre evropiane me plotësimin e atyre për çka janë pajtuar”, kishte deklaruar Gabriel Escobar.
Në vijë me ketë qëndrim të Escobar, është edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili ka folur në një intervistë për Kanal 10 lidhur me zhvillimet e fundit në Bruksel dhe ripërsëritjen e Kurtit për mosnënshkrimin nga Serbia.
Hovenier ka thënë se s’është e domosdoshme që të nënshkrim të marrëveshjeve.
“Mund t’ju jap lista të marrëveshjeve të tjera që nuk janë nënshkruar domosdoshmërish, por që janë ligjërisht të detyrueshme, përfshirë në procesin e dialogut. Dhe unë do të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se Marrëveshja bazë dhe aneksi zbatues janë ligjërisht të detyrueshme”, tha Hovenier.
Për takimin e fundit në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell ka thënë se as Kurti e as Vuçiq s’kanë qenë të gatshëm të pranojnë propozimin modern evropian për Asociacionin pa vendosur parakushte. Ndërkohë Macron, Scholz dhe Meloni kanë lëshuar një qëndrim të përbashkët për media pas takimeve në Bruksel, duke kërkuar që Kosova të nis me themelimin e Asociacionit dhe Serbia të japë njohjen de-facto. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që të kapërcehen dallimet urgjentisht./GazetaExpress/