Veshkat luajnë rol shumë të rëndësishëm në trup – ato janë përgjegjëse për largimin e mbetjeve përmes urinës, për prodhimin e hormoneve dhe për filtrimin e toksinave dhe lëngjeve të tepërta nga gjaku, transmeton Gazeta Metro.
Këto janë vetëm disa prej arsyeve se përse është e rëndësishme të kujdeseni për veshkat dhe t’i mbani të shëndetshme. Fatkeqësisht, disa ushqime mund t’i dëmtojnë ato dhe të ndikojnë në funksionimin e tyre.
Më poshtë e keni një listë me ushqimet më të zakonshme që mund t’jua dëmtojnë veshkat.
Ndonëse avokadot janë të popullarizuara dhe lavdërohen për vlerat ushqyese, konsumimi i tepërt i tyre mund të jetë i rrezikshëm për veshkat, e posaçërisht nëse vuani nga ndonjë sëmundje e veshkave. Dhe arsyeja për këtë është se pema ka nivel shumë të lartë të kaliumit. Trupat tonë kanë nevojë për këtë mineral, por sasitë e tepërta të kaliumit në gjak mund të shkaktojnë probleme serioze, siç janë ngërçet dhe rrahjet e çrregullta të zemrës.
Konsumimi i tepërt i mishit gjithashtu mund të shkaktojë probleme të veshkave sepse proteinat e kafshëve mund të jenë të vështira për t’u përpunuar, duke e bërë pengesë për veshkat procesin e eliminimit të mbetjeve. Një dietë e pasur me proteina të kafshëve mund të shpie edhe në zhvillimin e gurëve në veshka. Mishi ka edhe sasi të larta të purinës, e cila e stimulon prodhimin e acidit urik, e që është një prej shkaktarëve kryesorë të gurëve në veshka.
Një dietë e shëndetshme nuk duhet të përfshijë më shumë se 2300mg sodium në ditë (rreth një lugë çaji). Nëse e teproni me kripë, veshkat duhet të punojnë më shumë për ta eliminuar sodiumin e tepërt, ndërkaq shkaktohet edhe shtypja e lartë e gjakut.
Bananet
Nëse dyshoni se keni probleme me veshka, ushqimi i shëndetshëm është esencial. Kjo nënkupton t’i kufizoni edhe disa ushqime, siç janë bananet, sepse kanë sasi të larta të kaliumit, e që mund të jenë të dëmshme për ata të cilëve nuk u funksionojnë veshkat mirë. Një i rritur nuk duhet t’i konsumojë më shumë se 4,700mg kalium në ditë, ndërkaq një banane e vetme i përmban 537 mg.
Produktet e bulmetit
Ndonëse produktet e bulmetit janë të pasuar me vitamina dhe vlera ushqyese, sasitë e tepërta të jogurtit, qumështit dhe djathit mund të shkaktojnë më shumë dëme sesa dobi. Krejt kjo ndodh për shkak të sasisë së lartë të fosforit që gjendet në këto ushqime e i cili u shkakton stres veshkave.
Portokalli dhe lëngu i portokallit
Pavarësisht se portokajtë dhe lëngu i portokallit kanë pak kalori dhe janë të pasura me vitaminë C, ato gjithashtu përmbajnë nivele të larta të kaliumit.