Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në përkrahje të minatorëve të “Trepçës” që janë në grevë, raporton Ekonomia Online. Aktivistë të kësja partie kanë ngjitur një baner në objektin e kësaj Ministrie me mbishkrimin “Punëtori grevon, pushtetit ndëshkon”.
Lisjan Perolli, aktivist i PSD, tha se gjuha e vetme e përdorur nga Qeveria minatorët grevistë ka qenë ajo e ndëshkimit.
Ai tha se pavarësisht premtimeve të kryeministrit Albin Kurti për investime milionëshe në këtë ndërmarrje, aty nuk është bërë asnjë investim.
“Sot është bërë dita e 7 prej kur punëtoret e Trepçës janë futur në grevë. Prej asaj dite deri më sot gjuha e vetme që pushteti e ka përdorur ndaj këtyre punëtorëve ka qenë gjuha e ndëshkimit. Ka qenë gjuha e shantazhit edhe e kërcënimit”.
“E njëjta gjë po ndodh edhe sot, kryetarin e sindikatës se Trepçe e pushuan nga puna pse punëtorët janë futur më grevë. Premtimet e Kurtit i premtoj 7 milion euro investime brenda për dy vjet qeverisje. Sot gati tri vite më vonë qeverisje nuk ka as një investim. Është më se e qartë se mendësi të cilën e përfaqëson Kurti është ajo e shantazhit për kontroll”, tha ai.