Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës ka vendosur për themelimin e një komisioni për rastin e Dekanit të Fakultetit të Juridikut, Avni Puka. Akuzat ndaj Pukës janë ngritur nga kolegu i tij, Enver Hasani, i cili ka thënë se Puka ka mashtruar se ka kryer doktoratë në Itali dhe e ka akuzuar për plagjiaturë. Komisioni do të themelohet vetëm për pretendimet për plagjiaturë, derisa ato për mashtrim me doktoratë në Itali, duket se janë injoruar. Express merr vesh se anëtarë të këtij komisioni janë caktuar dy profesorë të pensionuar, e që nuk kanë marrëdhënie pune me UP’në.
Gazeta Express
Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës ka vendosur të kërkojë ndihmë institucionale nga menaxhmenti i UP’së lidhur me rastin e Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka. Kjo pas deklaratave të Profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, i cili muaj më parë e ka akuzuar Pukën për mashtrim lidhur doktoratën që ka thënë se e ka kryer në Itali në Universitetin “La Sapienza”, si dhe për mashtrim.
Në vendimin e Këshillit të Etikës që e ka siguruar Gazeta Express, lidhur me ketë rast, përmendet formimi i një komision profesional për vlerësimin e pretendimeve për plagjiaturë ose të ofrohet një listë me ekspert lidhur me rastet që kanë të bëjnë me pretendimet për plagjiaturë. Lidhur me pretendimet e Hasanit se Puka ka mashtruar për doktoraturën në Itali, në vendim nuk përmendet nëse do të ndërmerret ndonjë veprim.
“Rasti i kërkesës të Prof.asoc. dr. Avni Puka, Dekan i Fakultetit Juridik – Nga Këshilli i Etikës u vendos të kërkohet ndihmë institucionale prej Menaxhmenti të Universitetit të Prishtinës. Të formohet komision profesional për vlerësimin e pretendimeve për plagjiaturë ose të ofrohet një listë me ekspert lidhur me rastet që kanë të bëjnë me pretendimet për plagjiaturë”, thuhet në vendim.
Gazeta Express merr vesh se anëtarë të këtij Komisioni janë caktuar dy profesorë të pensionuar të Juridikut, të cilët nuk kanë marrëdhënie pune me Universitetin e Prishtinës. Bëhet fjalë për profesorin Ejup Sahiti dhe profesorin Rexhep Murati.
Ndryshe, në qershor të këtij viti, profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani e kishte denoncuar Avni Pukën se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”.
Në një letër që Hasani ia kishte dërguar Qerim Qerimit Rektorit të UP’së “Hasan Prishtina”, ka thënë se autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar se Avni Puka nuk ka kryer doktoratë në këtë institucion.
“Ajo që z. Avni Puka na thotë në atë letër, megjithatë, nuk është fare e vërtetë: Avniu asnjëherë në jetën e tij nuk ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë të Italisë. Autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar autorit të këtyre rreshtave, me shkrim dhe me gojë, se z. Avni Puka nuk ka marrë asnjëherë titullin e doktorit, apo titullin “PhD”, siç na e ka thënë në letrën e tij”, thuhej në letrën e Hasanit.
Ndërkohë, për doktoratën që Puka ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, Hasani ka thënë se është plagjiaturë e një tjetër libri dhe disa shkrimeve të një autori me origjinë nga Durrësi/Tirana.
“Është tërësisht joetike, e shëmtuar dhe joligjore mbi të gjitha, marrja (fitimi) dhe mbajtja e titullit shkencor dhe titujve përkatës akademik mbi bazën e një gënjeshtre të thjeshtë, apo të një doktorate që me një probabilitetet shumë të lartë bazohet në plagjiaturë brutale. Është joligjore për faktin se, në UP “Hasan Prishtina” dhe në universitetet e tjera publike në Kosovë dhe në rajon, me doktoratë bëhet themelimi i marrëdhënies së punës, pra merret pagë/rrogë. Paligjshmëria në rastin e z. Avni Puka është e dyfishtë: me mashtrim ka paraqitur se ka një doktoratë nga Universiteti “La Sapienza” në Itali, që kurrë nuk mund mund të dëshmoj se e ka bërë, dhe një doktoratë kryesisht të bazuar në plagjiaturë brutale”, thuhej në letrën e Hasanit.
Pas deklaratave të Hasanit, në adresë të Gazetës Express, Puka kishte dërguar një diplomë që kishte thënë se është e Doktoratës në Universitetin e Romës, që ka thënë se e ka mbrojtur publikisht me 21 shtator 2017.
Puka kishte thënë se akuza e Hasanit “përbën shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik, vetëm me qëllim që të dëmtoj imazhin, reputacionin dhe autoritetin tim personal e profesional, dhe imazhin e institucionit, përkatësisht Fakultetit Juridik dhe vetë UP-së.”
Ai kishte paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për këtë rast.
“I siguroj të gjithë kolegët, studentët dhe opinion me gjerë se të gjitha këto pretendime, shpifje, e përhapje të lajmeve të pavërteta, janë pjesë e trajtimit në procedura dhe mekanizma institucional, dhe deri në fund do të shfrytëzohet çdo mjet i lejueshëm ligjor. Me zbardhjen e të vërtetës, do të sqarohen edhe arsyet e motivet e sulmeve të tilla, kaq të ulta!
Për shkak të natyrës se këtyre çështjeve, dhe domosdoshmërisë që këto të trajtohen e konfirmohen nga mekanizmat institucional ligjor kompetentë, do të njoftohëni me kohë për vendimet e tyre, edhe nga ana ime. Deri atëherë vetëm mund të ju siguroj, se asnjë formë e shantazhit publik nuk do të na zmbrapsë nga reformat dhe luftimi i dukurive negative në Fakultetin Juridik”, thuhet në reagimin e tij.