Haradinaj: Urgjente anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanton paqe e siguri në rajon

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar sot kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilmi Berisha.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët në Amerikë janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. 

“Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon.

“Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Ilmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”, është shprehur pas takimit Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *