Padyshim se në marrëdhëniet ndërkombëtare aktorët përdorin strategji të ndryshme në përpjekje për të afruar pikën e arritjes së marrëveshjes përfundimtare pranë pikëndodhjes së tyre, derisa është detyrë e liderëve t’i vizatojnë “vijat e kuqe” përgjatë procesit, por është e çuditshme që “vijat e kuqe” janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian (BE) në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Kështu thonë njohësit e çështjeve politike teksa komentojnë deklaratën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në lidhje me “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili, përveç se në përputhje me “standardet më të mira evropiane”, nuk i kalon “vijat e kuqe” të palëve, derisa “pyetjet dhe shqetësimet” pritet të adresohen në të ardhmen.
Në thelb, ajo që kërkohet është një zgjidhje kushtetuese që krijon një institucion përfaqësues për njerëzit dhe i cakton atij detyra politkëbërëse për çështje që janë thelbësore për identitetin dhe mirëqënien e tyre materiale. Këtë së paku e kërkon Kosova. Nga ana tjetër, kërkohet një zgjidhje jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës, një institucion me kompetenca ekzekutive e me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm. Për këtë së paku iniston Serbia.
Eksperti i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel, Toby Vogel, në një prononcim për Albanian Post, thotë se në radhë të parë, deklarata e Lajçakut për “vijat e kuqe” është një përpjekje e dukshme për të fshehur “dështimin e plotë” të procesit të dialogut, i cili, sipas tij, kohën e fundit është kthyer në një mjet për menaxhimin e krizave dhe nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje kuptimplotë prejse ka nisur para dhjetë vjetësh.
Megjithëse liderët e BE-së kanë mirëpritur gatishmërinë e kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), palët nuk kanë arritur dakordancë për formalitetet e zbatimit edhe pse dy palët thanë se s’kanë probleme me draftin.
“Padyshim që palët deklarojnë vijat e tyre të kuqe dhe është e qartë se cilat janë ato – Kurti nuk dëshiron të krijojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca të paqarta, kurse Vuçiçi nuk dëshiron të bëjë asgjë që duket sikur koncesion për Prishtinën disa javë para zgjedhjeve. Mendoj se të dyja palët tani në thelb po luajnë për kohën”, thekson Vogel.
Derisa Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, Visar Ymeri, në një prononcim për Albanian Post, thotë se përtej thellimit të mungesës së transparencës, shumë e çuditshme është përpjekja e eurokratëve për t’i fshirë “vijat e kuqe” të palëve kur kërkohen nga marrëveshja dy gjëra opozitare.
Lajçak nuk ka shpjeguar më gjatë, prandaj vështirë të kuptohet më shumë.
Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë ka kaluar nëpër disa valë tash e një kohë, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja, por as përfshirja direkte e liderëve të shteteve kryesore të BE-së dhe ftesa e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel të enjten, nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë për një marrëveshje kompromisi të negociuar me pajtim të qartë shprehur me nënshkrim.
Vogel megjithatë e jep një shpjegim.
“Unë dyshoj se pengesa specifike në raundin e fundit ishte afati i zbatimit, pas insistimit të Kurtit që të arrihen rezultate më herët se sa parashikohej me draftin e mëparshëm”.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, ndërsa në Kosovë kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen.
Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë ditët në vijim, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të rifutet ngadalë në agjendën e aktorëve të angazhuar në terren – një ndër prioritetet e bashkësisë së organizuar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.