Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Menaxhmentit të Trepçës që t’i suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës, Ibrahim Jonuzin, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator.
Në një postim në Facebook, Hoti konsideron se kjo është e paprecedentë, teksa shton se i njëjti veprim nuk është zgjidhje
“Ndërkohë që minatorët vazhdojnë grevën, Menaxhmenti i Trepçës shkarkon udhëheqësit e sindikatës së minatorëve. Kjo është e paprecedent. Ky mentalitet ndëshkues i menaxhmentit është absurd në kohën kur greva po vazhdon në ditën e shtatë. Ky veprim nuk është në funksion të gjetjes së zgjidhjes. Përkundrazi. Edhe nëse menaxhmenti ka ligjërisht të drejtë për veprimet e ndërmarra, tani është koha për të negociuar 24 orë për të gjetur zgjidhje të balancuar e të pranueshme për të gjitha palët”, shkroi ai.
Deputeti i LDK-së, Hoti, thotë se “nuk është koha për t’i hedhur benzinë zjarrit”.
“Shëndeti i minatorëve është mbi të gjitha”, tha ai.
Vendimi u është komunikuar përmes telefonit vetëm pak minuta më parë.
“Punonjësit Ibrahim Jonuzi, Fevzi Ademi, Desat Kerleshi, Eset Meha, punëtorë të Trepça Sh. A. largohen përkohësisht nga puna, duke filluar nga data 27.10.2023”, thuhet në vendimin e menaxhementit që është marrë para tri ditësh.