Me ndihmën e ShBA-së hoqëm kompetencat ekzekutive të Asociacionit dhe siguruam letrën e Mogherinit

Shkruan Edita Tahiri

Shumë herë kam deklaruar se bashkëpunimi i udhëheqjes së Kosovës me SHBA-të ka qenë qenësor në të gjitha proceset jetike për Kosovën, si në Konferencën e Rambujes, në dialogun e Brukselit dhe në bisedimet e Vjenës. Nga të gjitha këto procese kemi dalë të fituar. Prandaj bashkëpunimi dhe koordinimi me amerikanët mbetet qenësor.

Për dijeninë e opinionit, Marrëveshjen për asociacionin pa kompetenca ekzekutive të bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe që kushtetutshmëria e saj të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese të vitit 2015 e kemi arritur së bashku me SHBA-në si edhe letrën e Mogherinit me të cilën garantohej se për BE-në asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë.

Në fund të qershorit të vitit 2015 ishin bërë negociata për asociacionin në nivelin politik mes Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe Presidentit të Serbisë Vuciq. Në takim kishte marrë pjesë dhe Hashim Thaçi, në atë kohë në pozitën e Zëvendëskryeministrit. Mirëpo pas atij takimi ndërmjetësja e BE-së Federica Mogherini ishte ngutur ta shpallë zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për asociacionin duke injoruar kërkesat e palës së Kosovës. Pas kësaj situate të pafavorshme u takuam menjëherë te tretë në Bruksel po atë mbrëmje, unë, Mustafa, Thaçi për të parë si do të mund të rihapim marrëveshjen për rinegociim edhepse ishte shpallur zyrtarisht nga BE-ja përkatësisht Mogherini. Unë kërkova që vet ta marrë procesin në dorë, në mënyrë që të kërkoj ndihmën e qeverisë amerikane e cila ishte e vetmja që do të mund ta detyronte Mogherinin ta tërheq zyrtarizmin e marrëveshjes.

Po në atë mbrëmje i shkrova letër qeverisë amerikane duke e njoftuar se marrëveshja nuk ishte pranuar nga pala jonë, pavarësisht shpalljes zyrtare se gjoja është arritur marrëveshja. Në letrën e dërguar theksova të gjitha pikat që nuk janë të pranueshme nga pala e Kosovës sepse përmbanin elemente ekzekutive dhe se ishin kundër Kushtetutës së Kosovës si dhe që marrëveshja duhet ta ketë kushtetutën e Kosovës në preambulë duke qenë se asociacioni do të krijohej në Kosovë. Përgjigja e qeverisë amerikane ishte që do të dërgojnë një zyrtar të tyre për të diskutuar gjerësisht për shqetësimet dhe mospajtimet e palës së Kosovës. Pak ditë më vonë, në fillim të korrikut, erdhi në Kosovë Tom Yazdgerdi, zyrtar i qeverisë amerikane më të cilin u takuam në rezidencën e zëvendës Ambasadores Amerikane në Kosovë, Jennifer Bachus. Takimi zgjati disa orë, pas dëgjimit të argumenteve të mija për mospranimin e marrëveshjes, kërkova që SHBA vet të ndërhyjë te Mogherinit që marrëveshja të rihapej për rinegocim.

Dy ditë më vonë nga qeveria amerikane mora telefonatë me të cilin më njoftuan se kanë arritur ta bindin Mogherinin dhe se rinegocimi i marrëveshjes do të ndodh. Pas kësaj me erdhi një email nga zyra e Mogherinit me të cilin ftohesha për raundin e ri në Bruksel. Në përgjigjen time ju thashë se para se të vendos për të ardhur në bisedime më duhet të di a do të rinegociojmë të gjitha pikat e kontestuara nga pala e jonë/qeveria Kosovës. Pasi që ma konfirmuan Marrëveshja është hapur për rinegocim sipas kërkesës së palës tonë, mora vendim dhe konfirmova pjesëmarrjen në raundin e radhës. Bisedimet vijuese ne Bruksel, mes meje si Kryenegociatore e Kosovës dhe zyrtarëve të BE-së shërbyen për të zyrtarizuar pranimin e Mogherinit për ta hapur marrëveshjen për rinegocim.

Intervenimi amerikan mundësoi që rrjedha e dialogut për asociacionin u kthye në favorin tonë. Si rezultat Mogherini tërhoqi Marrëveshjen e shpallur dhe u rihapën negociatat.

Gjatë tërë verës së 2015 prej fundit qershorit deri në 23 gusht 2015 kam zhvilluar negociatat nga distanca me BE-në dhe me palën serbe me ndërmjetësimin e SHBA-ve. Unë nga zyra ime në qeveri, dhe në zyrë kisha nga pala amerikane zëvendës ambasadoren amerikane Jennifer Bachus, e cila ndërmjetësonte negociatat Kosovë-Serbi, ndërsa për BE-në negocionte Ana Maria Boura e cila qëndronte në Beograd dhe negocionte me Vuciqin. Me 23 gusht arritëm marrëveshjen për asociacionin; hoqën kompetencat ekzekutive te asociacionit dhe përfshimë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në marrëveshje.

Të njëjtën ditë vonë në mbrëmje e shkrova draft tekstin e letrës me përmbatje “ per BE-në asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë, ia dërgova Mogherinit me email me kërkesë që për ta nënshkruar me arsyetim se kishim humbur besimin në ndërmjetësimin e saj dhe se kjo letër ishte garancë për qëndrimet e qarta të BE-së dhe Mogherininit në lidhje me asociacionin. ( natyrisht duhet theksuar se ishin SHBA-të që bindën Mogherinin që ta nënshkruaj këtë letër garance me kërkesën time). Të nesërmen ma ktheu letrën e nënshkruar që erdhi në emailin tim me 24 gusht 2015. Me kërkesën time letra iu adresua Kryeministrit të Kosovës, si kryenegociator i Kosovës në nivelin politik, në atë kohë ishte Isa Mustafa.

Pas marrjes kësaj letre vendosëm që të tre Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe unë që të nisemi menjëherë në Bruksel.

Me 25 gusht negociatat Mustafa-Vuciq konfirmuan marrëveshjen e arritur me 23 gusht, pra asociacion pa kompetenca ekzekutive, të bazuar në Kushtetutën e Kosovës, plus kishte hyrë edhe pika që marrëveshja do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetutese me instistimin e Mustafës.

Po e jap këtë informacion tani me qëllim që ti shërbej kësaj qeverie për të parë rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimin me SHBA-në për të siguruar që Kosova të dal e fituar nga ky proces i zbatimit të asociacionit të cilin qeveria dhe Kurti pranuan zyrtarisht asociacionin. Do të jet një rrugë sfiduese dhe komplekse, andaj është mirë të marrin mësim nga ne negociatorët e paqes të proceseve jetike, të Rambujes, Brukselit etj. Duhen ditur si bëhen betejat e ashpra negociatore dhe si fitohen negociatat ndaj Serbisë armike.

Në fund dëshiroj të jap një porosi për Kurtin se asociacioni nuk duhet pranuar pa njohjen de jure nga Serbia, sepse në të kundërtën Kurti prap do ta dështoj Kosovën ashtu siç bëri me arritjen e marrëveshjes bazë pa njohje reciproke në shkurt të këtij viti.

Po ashtu porosia ime për Kurtin është që asociacioni duhet të jetë pa kompetenca ekzekutive dhe pa nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë, në pajtim të plot me Kushtetutën e Kosovës si dhe statuti te behet me Rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese si dhe i njëjti të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

P.S. Ky tekst është një pjesë e librit tim të cilin e kam shkruar për Dialogun e Brukselit që ende nuk e kam botuar. Vendosa ta publikoj si ndihmë për qeverinë e Kosovës si dhe për të parandaluar dështimet e reja të Kurtit.

  •  Edita Tahiri është ish Zëvendëskryeministre dhe Kryenegociatore e Kosovës në Dialogun e Brukselit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *