Deputeti opozitar serb: Tash gjashtë vjet nuk dihet kush ishte autori dhe porositësi i videos për Olliver Ivanoviqin

Deputeti i Partisë Demokratike serbe, Srgjan Millivojeviq, ka përkujtuar se kanë kaluar gjashtë vjet nga transmetimi i një prej veprave më të turpshme propagandistike të makinerisë mediatike të Vuçiqit, video që frymëzoi vrasësit e Olliver Ivanoviqit.

“Qytetarët e Serbisë nuk kanë përgjigje për pyetjen që është bërë disa herë në kuvendin serb – çfarë kanë bërë autoritetet kompetente deri më tani në lidhje me vrasjen e Olliver Ivanoviqit, si dhe kush e ka porositur dhe kush është autor i videos së turpshme që u transmetua në “TV Pink” dhe “TV Most” në tetor të vitit 2017 në të cilin Olliver Ivanoviq u etiketua si njeri i pandershëm dhe tradhtar”, pretendon Millivojeviq, sipas deklaratës së PS.

Ai thekson se Serbia ka pritur gjashtë vjet që Zhelko Mitroviqi, pronari i “TV Pink”, të tregojë se kush e ka paguar transmetimin e kësaj video në terminët kryesor në televizionin e tij.

Si dhe kush e caktoi kohën e transmetimit të tij që të shfaqet në ditarin kombëtar më 16 tetor, menjëherë pas programit televiziv që u shfaq në orën 11:26 në të cilin Marko Gjuriq, atëherë drejtor i “Zyrës për Kosovë” dhe Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe kryetar i Listës Serbe, e akuzuan rrejshëm Ivanoviqin, duke deklaruar se ai udhëheq koalicionin anti-serb”, ka theksuar ky deputet.

Ai gjithashtu ka thënë se publiku kërkon një përgjigje edhe në pyetjen se kush i ka shtuar asaj video të turpshme pjesën kur shfaqet gjaku i derdhur në ekran dhe nishani i një snajperi.

“Në ditët e para pasi u shfaq, këtë video e firmosi Lista Serbe, por meqë kjo fushatë tinzare filloi të ecë shpejt drejt përmbushjes së qëllimit të vendosur, ky nënshkrim u zhduk në mënyrë magjike. I përkujtoj qytetarët e Serbisë se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të 13-të, deputetët e Partisë Demokratike kërkuan formimin e Komisionit Hetimor me rastin e vrasjes së Olliver Ivanoviqit, i cili mund të kontribuojë në zbardhjen e shumë rrethanave që i paraprinë kësaj vrasjeje politike. Për fat të keq, Vlladimir Orlliq, kryetari i kuvendit kombëtar, me këmbëngulje e refuzoi këtë kërkesë dhe deputetët e Partisë Përparimtare Serbe (të Vuçiqit) ishin kundër kësaj iniciative”, përkujton Millivojeviq.

Nuk duhet harruar fakti, siç theksoi ai, se Velko Bellivuk, një anëtar i shquar i PPS-së, ka deklaruar para prokurorit për krim të organizuar se kishte informacion të besueshëm për vrasjen e Ivanoviqit, por nuk janë dëgjuar as ai dhe as gruaja më e fuqishme në sektorin e sigurisë në atë kohë, Dijana Hërkalloviq.

“Sa në mënyrë të shkujdesur po e bëjnë punën e tyre shërbimet tona dhe sa janë të pa interesuara për zbardhjen e vrasjes së Olliver Ivanoviqit, më së miri dëshmon deklarata e Bratisllav Gashiqit (ministri i brendshëm i Vuçiqit)  e dhënë në seancën e kuvendit kombëtar më 22 qershor të këtij viti, kur deklaroi se vrasësi i Olliver Ivanoviqit është nën mbrojtjen e shërbimeve gjermane të sigurisë”, ka thënë ai dhe ka shtuar se për këtë deklaratë të pasaktë dhe skandaloze, Aleksandar Vuçiqi i kërkoi falje publike Gjermanisë.

“Në Serbi pushteti u uzurpua nga të njëjtët aktorë politikë që ushtronin pushtetin në kohën e vrasjes së Sllavko Quruvijas dhe Ivan Stambolliqit dhe ato vrasje u shpallën në media njësoj si vrasja e Ivanoviqit”, përfundon deputeti i PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *