Propaganda e opozitarit serb: Spanja s’e pranon Serbinë në BE nëse heq dorë nga Kosova

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjilas, ka pretenduar se Spanja s’do ta lejojë Serbinë të bëhet anëtare e Bashkimit Europian nëse Serbia “heq dorë nga Kosova”.

Sipas propagandës së opozitarit serb, kur Serbia të shkojë në derën e Bashkimit Europian “do të duhet të gjendet një formulim që do t’i kënaqë të dyja vendet që e kanë njohur Kosovën, të udhëhequr nga Gjermania dhe Franca, por edhe ato që nuk e kanë njohur dhe nuk do ta bëjnë si Spanja”.

Gjilas tha për agjencinë Beta se “siç janë gjërat sot, Spanja nuk do ta lejonte Serbinë të bëhet pjesë e BE-së nëse do të pranonte zyrtarisht ndarjen e një pjese të territorit të Serbisë, sepse ajo ka probleme të ngjashme”.

Ai tha se, ndryshe nga Serbia, Spanja është pjesë e BE-së dhe respektohet integriteti i saj territorial.

“Ne mund të ishim në të njëjtën situatë nëse Serbia në vitet 1990 nuk do të udhëhiqej nga të njëjtët njerëz që e udhëheqin tani. Spanja kurrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Spanja nuk i njeh as dokumentet e nxjerra nga Prishtina. Qasja jonë ndaj BE-së lehtësohet edhe nga pozicioni i tyre si aleati ynë më i madh kur bëhet fjalë për këtë çështje. SSP mbron bashkëpunimin dhe pajtimin mes popullit serb dhe atij shqiptar, por sigurisht jo për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo për njohjen e pavarësisë. Këto janë vija të kuqe që ne nuk do t’i kalonim në asnjë kusht”, pretendoi Gjilas.

I pyetur nga Beta nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq de facto do ta njohë pavarësinë e Kosovës, Gjilash tha se Vuçiq tashmë ia ka “dorëzuar Prishtinës të gjitha elementet e shtetësisë serbe”.

“Në Serbi është më e lehtë të parashikosh të ardhmen sesa të thuash se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Ne ende nuk e dimë se çfarë pranoi dhe çfarë jo, as parlamenti nuk e diskutoi atë. Vuçiq dorëzoi policinë, drejtësinë, vetëqeverisja lokale, telekomunikacioni, energjia, pikat kufitare, targat… Lista Serbe ishte në koalicion me Thaçin, Haradinajn dhe Kurtin. Vuçiq gjithçka që varej prej tij ia dha palës shqiptare dhe asaj të bashkësisë ndërkombëtare që mbështet pavarësinë e Kosovës dhe jemi edhe një herë në kufirin e sanksioneve dhe izolimit, kjo është absolutisht e pabesueshme”, tha ai.

Sipas tij, pas sulmit në Banjskë, pozita e Serbisë është përkeqësuar në mënyrë drastike “dhe Vuçiq është edhe më i shantazhuar nga bashkësia ndërkombëtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *