Hoxhaj: Javë fatale për Kosovën, u pranua Asociacioni pa njohje

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka cilësuar fatale për Kosovën gatishmërinë e Qeverisë Kurti për nënshkrim të propozimit të ri evropian për raportet me Serbinë, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Perëndimi.

Sipas Hoxhajt, me këtë, Kosova ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa përfituar njohjen nga Serbia.

“Kjo është javë fatale për Kosovën dhe me pasoja kolosale për të ardhmen! U pranua Asociacioni që tashmë është autonomi, u pranua pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim në NATO dhe OKB, dhe 24 shtatori, si akt agresioni, kaloi si një ngjarje pa asnjë rëndësi dhe nuk solli asnjë përfitim për Kosovën dhe asnjë sanksion për Serbinë. Është koha që Qeveria të merr përgjegjësi politike dhe të japë transparencë, duke publikuar çdo gjë çka është pranuar, por, është koha gjithashtu që qytetarët të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë e Albin Kurtit që Kosovën e betonoi në pafundësi në status-quo. Këtë javë u hoq dorë përfundimisht nga qëllimet për të realizuar idealet themeluese të Kosovës së pavarur dhe përmbylljen e shtetësisë së saj!” ka shkruar ish-ministri i Jashtëm në Facebook të shtunën.

Të enjten, kryeministri Albin Kurti u shpreh i gatshëm të nënshkruante në Bruksel në Samitin e Këshillit Evropian Marrëveshjen Bazë për normalizim raportesh me Serbinë, Aneksin e Zbatimit – të dyja të dakorduara më herët sivjet – si dhe drafstatutin e propozuar së fundmi nga BE-ja dhe SHBA-ja. Megjithatë, sipas Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e refuzoi Serbia. Qeveria ka thënë se “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatimin e marrëveshjeve”. Pas takimeve, liderët evropianë – kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministria italiane Giorgia Meloni – kërkuan nga Kosova nisjen e themelimit të Asociacionit e nga Serbia jetësimin e njohjes de-facto.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *