Kurti: Me dekada Serbia këmbënguli në themelimin e Asociacionit, dje refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ndonëse Serbia ka me dekada që po këmbëngul në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dje në Bruksel refuzoi ta nënshkruante draftin e sjellur nga emisarët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas diskutimeve të djeshme në Nivel të Lartë, Kurti tha se Kosova ishte e gatshme ta pranonte draftin, që shtoi se është punuar përkrah ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Ai bëri me dije se ky draft pastaj do të duhej ta kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese për t’u vlerësuar legjitim për Kosovën.

“Në takimin e 21 tetorit nga emisarët na është thënë që drafti për vetmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do nënshkruhej parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra kushtetuesja jep vlerësimin e kushtetushmërisë së këtij propozimi”.

Kurti tha se Kosova e do integrimin e serbëve në institucione, dhe si e tillë u ka dhënë shumë përkrahje atyre.

“Ne ofruam që të nënshkruanim marrëveshjen Bazë të Brukselit të 27 shkurtit me aneks të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 te marrëveshjes në lidhje me nen 10 pra vetmenaxhimin. Samiti këshillit evropian është ngjarja dhe vendi ku do duhet të ndodhte kjo. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin. Qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb kanë të drejta të garantuara, 17 perqind të përfaqësuesve lokalë në kuvende komunale janë serbë. Ne e dimë që deputetët nganjëherë bëjnë bojkot përkohësisht për ndonjë çështje por ta bësh bojkotin tërë kohën, ky është një dëm i madh që i bëhet komunitetit serb së pari, dhe pastaj përpjekje për të dëmtuar shtetin e Kosovës. Ne e duam integrimin e serbëve në jetën institucionale në Kosovë”.

“Pas më shumë se një dekade të insistimit në Asociacion, në Zajednicë, Serbia dje ka refuzuar ta nënshkruante një draft për vetmenaxhim që është sjell nga vetë BE-ja dhe ShBA-ja. Në një kohë kriza të shumta, takimi në nivel të lartë tregon për rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Kryeministri Kurti.

Sipas kryeministrit kosovar, duket se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka rënë pishman.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan sepse ai i ka thënë po marrëveshjes në mënyrë që të mos nënshkruajë e tash duket që i ka rënë pishman. Ka filluar gjithnjë e më shpesh ta përsëritë atë vargun që e pranon marrëveshjen në koncept por jo përmbajtje dhe zbatimin në mënyrë të kufizuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *