Haxhiu: Kemi prezantuar fakte e dëshmi se pas sulmit në Banjskë qëndron Serbia

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në Ministerialin e organizuar në Shkup, se rasti i Banjskës më 24 shtator është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Kosovës, paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt janë prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga Serbia.

Ajo para përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit, ka vlerësuar reagimet e akterëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.

Ministrja Haxhiu ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen.

“Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë juridik të shteteve tona në rajon, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është domosdoshmëri e secilit nga ne dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët”, tha ndër të tjera ministrja e Drejtësisë.

Sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, si dhe aksioni i përbashkët kundër agresionit Rus në Ukrainë, ishin tri tema për të cilat ministrja Haxhiu ka diskutuar në këtë Ministerial.

Haxhiu theksoi se Kosova po përmbush obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe se arritjet në fushën e sundimit të ligjit, janë evidentuar edhe nga raporte dhe indekse kredibile ndërkombëtare.

Ministrja Haxhiu ka përmendur rezultatet ku sipas “World Justice Project” Kosova renditet në top vendet me përparimin më të madh për vitin 2022, Raportin e BE-së për Vendin i vitit 2022, progresin e shënuar për 20 vende më lart sipas “Transparency International”, si dhe Raportin e “Freedom House” e cila renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në nivel botëror.

Sa i përket qëndrimit të Kosovës, masave edhe veprimeve të ndërmarra ndaj agresionit rus në Ukrainë, Haxhiu ka përmendur faktin se deri tani janë miratuar 11 paketat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, dhe që janë mbështetur sanksionet e SHBA-së ndaj këtyre vendeve, në një nismë për të shprehur qartë qëndrimin e Kosovës ndaj ndikimit të tyre në situatën aktuale.

Ndryshe, Ministeriali për Drejtësi dhe Punë të Brendshme u organizua nga Këshilli i Bashkimit Evropian nën udhëheqjen e Spanjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *