Rama – Kurtit: Më mirë vonë se kurrë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur sërish përgëzime për Kosovën për pranimin e propozimit të ndërkombëtarëve për të përparuar në zgjidhjen e çështjes së Asociacionit.

“Më mirë vonë se sa kurrë”, ka shkruar Rama në platformën X ndërsa ka shkruar se është i kënaqur që udhëheqja e Kosovës “më në fund” bëri gjënë e duhur në takimin e 26 tetorit në Bruksel.

Pranimin e propozimit të BE-së, Rama e ka quajtur mençuri e hap të rëndësishëm përpara.

Ndërkohë, ka theksuar se kritike është që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë tani.

“Është koha kritike që Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Çdo gjë e pranuar dhe dakordësuar deri tani duhet të zbatohet pa vonesë. U bëj thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të mbajnë këtë momentum dhe të shtyjnë palët drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka shkruar Rama.

Rama është shprehur tutje se Evropa ka nevojë për paqe, e se Kosova dhe Serbia duhet të ndalojnë “muhabetet e vjetra dhe të rrezikshme” e të mos shmangin paqen.

“Mjaft më duke parë gishtin teksa gishti tregon hënën. Mjaft më me të njëjtat muhabete të vjetra dhe të rrezikshme. Mjaft më me shmangien e paqes dhe ushqimin e fantazma të së kaluarës për hir të vogëlsisë së politikës së brendshme. Shikoni jo shumë larg nga këtu se çfarë u ndodh atyre që i shmangen paqes dhe angazhohen në lojëra “o të gjitha o asgjë”. Ne kemi nevojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në këtë lagje të Europës. Bëni paqe paj Zotin dhe shikoni përpara!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *