Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, duke folur për takimet e djeshme maratone mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët evropianë thotë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë mirë që e ka mbështetur.
Lauka thotë se në Shqipëri, Rama është kritikuar me të drejtë që i ka rënë në qafë Kosovës.
“Mirë ka bërë Rama që e ka mbështetur Kurtin. Tani a është i sinqertë Rama në këtë mbështetje, apo jo hipokrit, aty s’kam diskutim. Sepse, Rama, sidomos këtu në Kosovë, por edhe në Shqipëri nga opozita është kritikuar me të drejtë, me të drejtë që i ka rënë në qafë Kosovës, i ka rënë në qaf Kosovës”, tha ai.
Lauka thotë se Rama e Kurti nuk kanë shumë dallime në botëkuptime, por që Rama është kozmopolit.
“Ky pozicion i Edi Ramës, sepse Rama them unë dallon nga Albin Kurti. E ka thënë edhe vetë, e ka pranuar vetë, dallon në botëkuptim. Unë them që dallimi në botëkuptim nuk është aq i madh, sepse të dytë janë të majtë. Rama thotë se jam përtej të majtës dhe të djathtës. Por, Partia Socialiste konsiderohet e majtë, ky është udhëheqësi i saj – i krahut të majtë konsiderohet. Albini po kështu. Por, ata kanë disa dallime të tjera, shumë më thelbësore them unë, dhe këtu unë vë dallimin e parë që Rama është kozmopolit. Është shumë keq të jesh, sepse ne e kemi një çështje ende të Kosovës, për fat të keq ende të papërfunduar statusi është çështje e mbyllur, ky e ka hapur disa herë edhe e hap që me mbështetjen e tezes për ndarjen e Kosovës për fat të keq ky ka qenë në mbështetjen e kësaj teze bashkë me Vuçiqin”, shtoi ai.
Gjatë ditës së djeshme, Kurti është takuar me me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak.
Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshje bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në takimin e sotëm më 26 tetor, me liderët evropianë, por që Serbia refuzoi përsëri.