Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë Serbia nuk ka autorizim për pranim apo përjashtim të shteteve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Hasani ka thënë se Serbinë nuk e pyet asnjë vend anëtar në OKB se si ndihet për mekanizmin e pranimit.
“Është jorelevante sepse po flet për qytetarët serbë sepse i ka zgjedhjet në prag. Këto mosmarrëveshje që sot duken në syprinë, apo u thanë kushtëzime reciproke, tashmë ngelet të përpunohen në takimin e radhës. E rëndësishme është që palët janë kthyer në dialog dhe kjo përçon mesazh të fuqishëm kundër Rusisë dhe Kinës e vendeve të tjera”, ka thënë ai.
Sipas profesorit Hasani, pala kosovare është në defansivë totale kundrejt Bashkimit Evropian.
“Shihet në pritjen edhe në Bruksel, por edhe në Prishtinë (në takimin me pesëshen evropiane dhe amerikane), shihet qartë se është në defansivë”, është shprehur ai.
Hasani më tej ka thënë se s’mund të priten sanksione ndaj Serbisë, pa dalë një raport që tregon se ka të bëjë me aktin terrorist të 24 shtatorit.
“Sanksionet ndaj Serbisë për çështjen e ngjarjeve të aktit terrorist të 24 shtatorit, pa dalë një raport që ia atribuon Serbisë, asnjëherë nuk mund të ndodhin”, ka thënë ai.