Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius Von Bone, në seancën e Apelit tha se gjykimi dhe dënimi ndaj Sali Mustafës është i gabuar, disporopocional dhe i ashpër, pasi sipas tij trupi gjykues nuk ka përdorur standardin e vlerësimit të dëshmive të dëshmitarëve, duke qenë selektiv dhe janë marrë parasysh vetëm dëshmitë që ishin kundër “Calit”.
“Kjo mungesë e balancës është aq e dukshme, kur bëhet krahasimi mes dëshmitarëve që i kanë aprovuar apo i kanë refuzuar akuzat”, tha ai.
Ai shtoi se gjykata mori parasysh secilën dëshmi ku përshtateshin me akuzat e Prokurorisë, ndërsa refuzoi si të pabaza dëshmitë e dëshmitarëve që thanë se nuk e kanë parë asnjëherë Sali Mustafën të ketë keqtrajtuar dikë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Von Bone theksoi se trupi gjykues nuk mori parasysh deklaratat e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, vetëm se ata mohuan ekzistencën e një vendbanimi ku Mustafa kishte keqtrajtuar njerëz.
Ndër të tjera, ai përmendi dëshminë e dëshmitarit të propozuar na ZPS-ja, Sejdi Veseli, të cilën dëshmi trupi gjykues e kishte konsideruar si mbrojtje të vlerave të UÇK-së.
Për këtë, avokati i Mustafës u shpreh se nuk ka kuptim dhe se Veseli vetëm i është përgjigjur pyetjeve. Tha se është e kuptueshme që ai vazhdon të respektojë UÇK-në, pasi është faktor që e bëjnë të gjithë në Kosovë, pasi luftuan për pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, ai tha se kishte dëshmitarë që përshkruan një vendndodhje tjetër ku pretendohet se u mbajtën apo u torturuan viktimat. Sipas tij, që nga ngritja e aktakuzës, konfirmimit të saj dhe gjykimit nga ZPS-ja, është përmendur vetëm një vendndodhje.
“Kur një gjykatë nuk i vlerëson provat në mënyrë të barabartë, kjo shkon në dëm të të akuzuarit dhe nuk mund të ketë një aktgjykim të plotfuqishëm, qasja jo e barabartë dhe e njëanshme nuk mund të quhet e vlefshme”, shtoi ai.