Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën Nacionale se kryeministri e ka lënë në terr informativ opozitën për çështjen e dialogut me Serbinë.
“Kryeministri i Kosovës nuk po ka përgjegjshmëri politike dhe institucionale në procesin e dialogut. Kosova, qytetarët dhe ne si politikbërës vazhdojmë me qenë në një errësirë informatash mbi procesin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. z. Kurti nuk po i beson as ndërkombëtarëve dhe as vendorëve, dhe kur e lidhim këtë realitet që ai është edhe i vetëm në dialog me ekipen e tij, këtu shtohen dyshimet dhe pyetjet se çka po nënshkruan Kryeministri në emër të Kosovës, a po humbim a po fitojmë dhe çfarë e ardhme po na pret si shtet?”, ka thënë Lekaj, duke shtuar se transparenca do të fuqizonte procesin e dialogut.
“Tani po ka takime edhe me praninë e emisarëve, dhe ne nuk e dimë draftin e marrëveshjes, nuk e dimë a po cenohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, dhe nuk e dimë në cilën fazë jemi. Dhe, për këto e shumë të tjera kryeministri duhet ose në Kuvend ose me dyer të mbyllura të takojë e informojë spektrin politik dhe akterët e fuqishëm të shtetit të Kosovës. Madje, po të isha unë Kryeministër, qysh para një viti do ta bëja praktikë që një herë në javë të zhvilloja formatin e takimeve me dyer të mbyllura me spektrin politik, shoqërinë civile, dhe ekspertët e njohësit e diplomacisë të vendit tonë. Vetëm kështu do të ishim të fortë në tavolinë dhe humbjet nga marrëveshja finale do të ishin sa më të vogla”, është shprehur Lekaj.
Sipas tij, tani bashkësia ndërkombëtare do të imponoj llojin e dialogut “merre ose lere”.
“Qysh nga takimi i ardhshëm ndërkombëtarët do të prezentojnë dhe urdhërojnë që dialogu të vazhdojë shpejt e konkret, të bëhen sakrifica nga dy palët, të bëhen dakordanca dhe zbatime të pikave të marrëveshjes në shtetet përkatëse Kosovë-Serbi. Mbi të gjitha mendojë që meqë nuk kemi marrë veprime me kohë, tani Bashkësia Ndërkombëtare do të fillojë fazën e Imponimit në dialog e njohur si ‘merre ose leje’”, ka thënë Lekaj.