Konjufca për Kuvendin Zgjedhor të Srpska’s: Maskaradë, po mendojnë se i lajnë duart nga 24 shtatori

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për kuvendin zgjedhor që e mbajti dje Lista Serbe, duke zgjedhur kryetarin e ri. Sipas tij, ai proces ishte krejtësisht i inskenuar, derisa shton se Lista Serbe po mendon që mund t’i lajë duart nga sulmi i 24 shtatorit.

Konjufca tha për T7 se institucionet e Kosovës duhet ta shqyrtojnë me më shumë kujdes këtë subjekt politik sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës për të garuar në zgjedhje.

“Unë mendoj që ajo më shumë ishte maskaradë, proces krejtësisht i inskenuar, për arsye se ata po mendojnë se Lista Serbe mund t’i lajë duart prej 24 shtatorit. Nuk mundesh me u fsheh kështu pas asaj. Radojçiqi ishte nënkryetar de jure i Listës Serbe, por të gjithë e dimë që ishte kryetar de facto i saj. Prandaj përgjegjësia është e drejtpërdrejtë mendoj. Edhe institucionet e Kosovës edhe vetë Listën Serbe duhet ta shqyrtojnë me shumë kujdes sa i përket ligjshmërisë së veprimtarisë së saj politike dhe të drejtës për të garuar në zgjedhje”, tha Konjufca.

Ai tha se shpallja e zgjedhjeve të reja është proces që merr kohë, derisa sipas tij duhet të krijohet shumë siguri, para e të mbahen ato.

“Shpallja e zgjedhjeve të reja është proces që kërkon kohë, nuk mund të bëhet shpejt e shpejt dhe mendoj që aspekti më i rëndësishëm i zgjedhjeve të ardhshme për këto komuna, është ai i sigurisë. Ne do të krijojmë shumë siguri, do ta konsolidojmë shumë sistemin e sigurisë që këto zgjedhje të mund të mbahen, vetëm për një arsye të thjeshtë, nëse siç e kemi parë më herët, ndikimi i grupeve kriminale në këto komuna dhe i bandave të ndryshme mund të jetë kaq i lartë, atëherë edhe zgjedhjet mund të mos shkojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore. Pikërisht për këtë arsye, Kosova duhet ta arrijë një nivel të kontrollit nga ana e përforcimit të sundimit të ligjit, një sistem të konsoliduar ashtu që pastaj kapitulli i dytë të jetë krijimi i atmosferës së përshtatshme paqësore të sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat në veriun e Kosovës”, tha ai për T7. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *