Krerët e shtetit, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, nëntorin e kaluar ishin në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje ata u pritën në takim nga Presidenti Macron meqë kishin për të diskutuar për planin e ri franko-gjerman për të cilin ndërmjetësit ishin optimistë se do të dinamizonin procesin e dialogut për të çuar në zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Një vit më pas Osmani dhe Kurti do të jenë sërish pjesëmarrës të këtij forumi, por sa janë gjasat që ata të priten sërish në takim nga Macron?
Më 10 nëntor të 2022-ës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, dolën me një deklaratë të përbashkët për takimin e tyre me presidentin francez Emmanuel Macron rreth planit franko-gjerman, duke shfaqur pajtim me propozimin që iu vu në tavolinë nga lideri i Francës dhe ai i Gjermanisë.
“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, kështu u tha në deklaratën e Osmanit dhe Kurtit.
Aktualisht, meqë Osmani e Kurti janë në pozita të kundërta me Macronin për shkak se ky plan për të cilin u dakorduan me Serbinë në Bruksel e Ohër ende s’është vënë në zbatim, komentet që Macron bëri në Tiranë këtë muaj s’premtojnë se do të ketë takim mes tyre në Paris.
Presidenti Macron akuzoi krerët kosovarë se s’po e mbajnë fjalët, duke iu referuar moszbatimit të marrëveshjes rreth Asociacionit.
“Sot fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron kur foli për vizat e Kosovës.
Macron shtoi se pret përgjegjshmëri nga Kosova dhe Serbia për zotimet e dhëna, derisa përmendi edhe Asociacionin.
“Në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar Macron në Tiranë.
Por, ajo që u diskutua më së shumti nga konferenca e Macron në kryeqytetin shqiptar ishte deklarata për vizat. Sipas një shpjegimi të Edi Ramës, Macron ka thënë se nëse Kosova s’hap rrugë për planin franko-gjerman, ai s’do të hapë rrugë për vizat.
Sidoqoftë, ditët përpara mund të ndërrojnë kahun.
Pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator ku mbet i vrarë polici Afrim Bunjaku, Osmani e Kurti deklaruan se dialogu me Serbinë s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe se Serbia duhet të sanksionohet nga ndërkombëtarët për aktin agresor ndaj Kosovës. Vetë ndërmjetësit deklaruan se janë në pritje të hetimeve për sulmin për të parë se çka do të veprojnë më tutje.
Por, derisa hetimet vazhdojnë duhet të vazhdojë edhe dialogu – ky është mesazhi që e sollën pesëshja diplomatike në Prishtinë, të cilët kërkuan intensifikim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.
“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia hynë në një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit më herët këtë vit”, tha emisari Miroslav Lajçak pas takimit me Kurtin.
Kurti nuk foli për takime të ardhshme në Bruksel, por presidenti serb Vuçiq paralajmëroi se do të ketë takime këto dy-tri ditë në Bruksel me palën kosovare.
“Pas dy-tre ditësh pres që unë dhe Kurti të shkojmë sërish në Bruksel”, tha Vuçiq në RTS.
Duke folur rreth takimit të ri nga Qeveria e Kosovës thanë se sapo të ketë diçka do të informojnë. Një takim i ri Kurti -Vuçiq dhe hapat pozitivë për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit mund t’i përmirësojnë raportet me shefin e shtetit francez./Express/