Çfarë përmban plani që “pesëshja” diplomatike i dorëzoi Kurtit dhe Vuçiqit?

Në një takim të diplomacisë ndërkombëtare, emisarët nga Evropa dhe Amerika kanë prezantuar një plan të ri për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e pesëshes në Kosovë kishte për qëllim të zbutë tensionet dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme pas sulmit terrorist në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti emisarët evropianë të shoqëruar nga këshilltarët e liderëve shtetëror të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Një njoftim zyrtar, Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar pranimin e planit të emisarëve dhe ka falënderuar ata për përpjekjet e tyre.

“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, përmbajtja e planit nuk është bërë e ditur publikisht, por disa analistë sugjerojnë se ai mund të përfshijë hapa për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Analisti politik, Visar Ymeri, ka theksuar se plani i emisarëve përfshin dy pika kryesore.

Së pari, sipas tij, është zbutja e tensioneve në veri dhe ky është një detyrim për Kosovën, siç është edhe për Serbinë.

Së dyti, siç ka deklaruar ai, është të hapet rruga drejt zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai ka shtuar se kërkesa për Asociacion nuk është për mbylljen e procesit, por vetëm për hapin e parë drejt tij.

“I kanë dy pika kryesore, në njërën anë është shtensionimi i situatës në veri, ku edhe Kosova do ta ketë përgjegjësinë e vetë sikurse Serbia. Dhe pastaj hapat drejt zbatimit të marrëveshjes, të cilat deri tash edhe në këto deklarata që i kemi parë të shtunën që thonë se do të ketë ose nevojiten që të bëhet një hap i parë nga Kosova drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Ymeri për EO.

Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtar, ka shprehur kritika ndaj planit dhe veprimeve ndërkombëtare në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se një sulm terrorist në Banjskë tregon se zbatimi i Asociacionit është i rrezikshëm dhe se politika e zbutjes ka dështuar.

“Është një turp që nuk ka pasur një ndryshim të dukshëm në qasjen ndërkombëtare; Serbët në veri të Kosovës kryen atë që vetë BE-ja e njohu si sulm terrorist. Është e paimagjinueshme që ata që kryen sulmet të mos kenë mbështetje nga Beogradi. Pse nuk ka pasur sanksione?”, ka thënë ai për EO.

Po ashtu, ai ka thënë se heshtja ndërkombëtare është një gabim strategjik dhe se Serbia paraqet një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ky sulm duhet të kishte ndryshuar të gjithë fokusin e bisedimeve; tani më shumë se kurrë është e qartë se Serbia paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Politika e zbutjes ka dështuar qartë; Mosnjohja e kësaj është një gabim masiv strategjik, i cili e bën edhe më të mundshëm perspektivën e luftës”, është shprehur tutje profesori Hehir.

Emisarët të njëjtin plan kanë dërguar edhe në Beograd, por përmbajtja e planit mbetet e panjohur.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me emisarët evropianë, ka deklaruar se pret takime të reja në Bruksel, por asnjë informacion zyrtar nuk është dhënë rreth ndonjë takimi të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *