Një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, krejt çka ndodhi mëngjesin e 24 shtatorit

Ishte ditë e diele. Në orët e para të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, ku edhe u vra polici Afrim Bujaku.

Gjatë asaj dite, kishte vazhdimisht të shtëna armës, ku Policia e Kosovës u ballafaqua me këtë grup terrorist, të cilët në numër ishin mbi 30.

Ndaj sulmit terrorist në veri, reaguan edhe krerët e shtetit, duke e quajtur sulm ndaj shtetit të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

Kurse, Kryeministri Albin Kurti, tha se kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Teksa në ora 10:00 të mëngjesit ai mblodhi Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastiri në Banjskë të Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Dioqeza Rashkë-Prizren përmes një reagimi në rrjete sociale, kishte konfirmuar se persona të maskuar e të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa theksoi se po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.

Kryeministri Kurti, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe akterët tjerë gjatë gjithë ditës kanë bërë thirrje që të pjesëtarët e grupit terrorist të dorëzohen.

Më vonë, nga Policia e Kosovës, u konfirmua se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë vrarë, një prej tyre ishte plagosur, ndërsa më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Ministri i Brendshëm, në mbrëmje tha se edhe pelegrinët e Manastirit po hetoheshin nëse në mesin e tyre ka persona të infiltruar të grupit terrorist.

Veç Policisë së Kosovës, i gatshëm për intervenim ishte shprehur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë u mbyllën pas zhvillimeve të fundit në veri. Qëndruan të mbyllura deri para pak ditësh.

E vec dy ditë pas sulmit, Ministri i  Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar pamje nga brenda Manastirit Banjskë, e ku shihet Milan Radoiciq.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga droni gjatë aksionit të Policisë në Banjskë, e në të cilën ka thënë se shihet Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, e që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka thënë se Radojiçiqi është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Pas fakteve të publikuara, Milan Radojiçiç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, duke pranuar edhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Avokati i tij duke bërë të ditur vendimin ka lexuar edhe një letër të tij, ku pranohen akuzat e ngritura më parë nga ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.

Por ai shton se arsyeja e kthimit ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, sipas tij për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit

Më tej ai tenton të heq përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se e ka financuar vetë aksionin.

“Personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. Metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit.”

Pas e pranoi se ishte pjesmarrës në sulmin terrorsit, Radoiciq u arrestua, pork y arrestim nuk zgjati shumë.

Një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Sic u than ë njoftimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Lirimi i tij vjen vetëm një ditë pasi që u arrestua nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, ku i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë – masë e cila nuk u zbatua.

Arrestimi dhe lirimi i kriminelit Radojiçiç, vjen pak ditë pasi që ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie sipas Kodit Penal të shtetit të Serbisë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa më pas, ato armë sipas pretendimeve të tyre “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

As pamjet nga droni që tregojnë se terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, kryen ushtrime në bazat ushtarake në Serbi, nuk po e bindin Bashkimin Evropian që të vendos sanksione ndaj këtij shteti.

Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë as pas publikimit të pamjeve që dëshmojnë se terroristët janë trajnuar në bazën ushtarake të Serbisë në Pasuljanske Livade.

Që Serbia ka gisht në sulmin terrorist në Banjskë mund të kenë dyshime, por të paktën Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa tek pas përfundimit të hetimeve, do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist.

“Ne duhet ta shohim pikturën e plotë të hetimeve. Nuk do të komentojmë qëndrimet personale, pasi Bashkimi Evropian do të përgjigjet unanimisht nga vendimi i të gjitha vendeve që përbëjnë unionin. Dialogu ka qenë aty për vjet, dhe prioriteti i BE-së është rikthimi në këtë proces. Po të kishte normalizim të marrëdhënieve nuk do të ndodhin këto që ndodhen”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Armët që u kapën

24 SUV, 1 automjet luftarak i improvizuar, 2 motoçikleta 4×4, 8 mina kundër personelit, 8 mina kundër tankut, 36 raketëhedhës M80 Zolja, 142 predha mortaje, 75 granata dore, 150 eksploziv dinamit, 5.5 kg eksploziv plastik, 20 kg eksploziv TNT, 9 granata pushke, 23 detonatorë elektrikë, 6 mitralozë, 1 hedhës nitroglicerine, 30 AK-47, 18 silenciatorë për AK-47, 235 karikatorë për AK-47, 6 automatikë me pamës, 3 pistoleta, 3 pistoleta me silenciatorë, 21 jelekë antiplumb, 15 dylbi nate, 1 dylbi nate termike, 3 dronë, 32 radiomarrës, 4 kamera, 5 palë këpucë taktike, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 10 mbulesa kamuflazhi ushtarake, 1 busullë ushtarake, 6 harta satelitore, 3 harta topografike, 1 telefon celular, 32 telefona të mençur, 23 maska, 20 kazma, 20 lopata, 8 sëpata, 3 motosharra, 4 sharra dore, 2 barela, 1800 kartëmonedha (euro & dinarë serb), ushqime dhe ilaqe, sasi e madhe municioni e kalibrave të ndryshëm

Reagimet

Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani e quajti dhunën sulm ndaj sovranitetit të Kosovës.[61] Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se sulmi shkaktoi operacionin më të madh policor në vend që nga Lufta e Kosovës në vitin 1999. Kryeministri Albin Kurti i quajti sulmuesit “të armatosur rëndë dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe të planifikuar, të mbështetur politikisht, të financuar materialisht dhe logjistikisht mbështetur nga Serbia”.

Vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë mbyllur për shkak të incidentit.

Një kushëri i policit të vrarë ka lëshuar një deklaratë ku konfirmon vdekjen e familjarit të tyre me titullin e deklaratës të shkruar me të gjitha shkronjat e mëdha ku shkruhej “Të vdesësh për atdheun tënd është si të lindësh sërish”.

Lista Serbe, partia më e madhe që përfaqëson serbët etnikë në Kosovë, shpalli një periudhë zie treditore “për të vajtuar humbjen e bashkëqytetarëve tanë”, d.m.th. të militantëve, në komunat me shumicë serbe kundër ligjeve kosovare të cilat ia rezervojnë veprime të tilla Presidenti dhe autoritetet komunale. Më 26 shtator, banorët e Mitrovicës dhe tre qyteteve të tjera u mblodhën dhe ndezën qirinj për sulmuesit e vdekur.

Eparkia e Rashkës dhe e Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe, e cila drejton manastirin e Banjskës, dënoi sulmin dhe dhunën në manastir, duke shprehur ngushëllime për familjen e policit të vrarë dhe oficerët e plagosur. Dioqeza tha se personat e armatosur dhe të maskuar depërtuan përmes portës së mbyllur të manastirit, duke sulmuar kompleksin me një automjet të blinduar

Serbi

Presidenti Aleksandar Vuçiq akuzoi kryeministrin Kurti si “fajtorin e vetëm” për ngjarjen dhe tha se “populli ra pas provokimeve”.[68][69] Ai gjithashtu pohoi se sulmuesit ishin serbë të Kosovës të cilët “nuk donin të duronin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq ka thënë në televizion se Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë ka filmuar policët kosovarë duke lënë një serb të plagosur të vdesë pa e ndihmuar atë. Sipas tij, ata kanë qeshur duke e parë dhe njëri nga policët ka thënë se nuk do të ishte turp të vdiste serbi.[71] Ai gjithashtu pohoi se shtëpitë private ku jetonin serbët e moshuar u qëlluan nga policia e Kosovës pa arsye[72] dhe se dy nga serbët u vranë nga zjarri i snajperit edhe pse ishin larg askujt.

Serbia shpalli ditë zie kombëtare për 27 shtator.

Ndërkombëtare

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në Ballkan, Mirosllav Lajçak dhe komisioneri i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell e dënuan sulmin. Të dy deklaruan se autorët duhet të përballen me pasoja ligjore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet”.

Rusia mbrojti Serbinë dhe fajësoi qeverinë kosovare për nxitjen e sulmit, duke shtuar se gjakderdhja mund të dalë jashtë kontrollit.

Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, njerëzit u mblodhën së bashku për të nderuar policin e vrarë duke ndezur qirinj në sheshin e qytetit.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dënoi sulmin duke përmendur se situata mund të kthehet lehtësisht në një konflikt më të madh dhe të ketë pasoja katastrofike për të gjithë.

Aktualisht, Kosova është duke bërë thirrje që Serbia t’i dorëzojë pjesëmarrësit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, që besohet se gjenden atje.

Millan Radoiçiq, organizator i dyshuar i sulmit që la të vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku, është marrë në pyetje nga prokuroria serbe dhe është ngarkuar me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Radoiçiq – serb nga Kosova – ka gjetur strehim në Serbi edhe vitin e kaluar, kur autoritetet kosovare e kanë shpallur të dyshuar në një rast që lidhej me disa ndërtime pa leje, i njohur si Brezovica.

Serbia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008. Rrjedhimisht, dy vendet nuk kanë marrëveshje ekstradimi.

Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Përderisa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha se Serbia dëshiron territor të Kosovës “por, nuk do ta marrë kurrë”.

“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”.

“Çfarë dëgjuam nga Serbia sot ishte minimizimi i aktit të agresionit ndaj Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre.

“Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Bërnabiç: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

Ndërkaq, lryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiç tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiç akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiçit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” në bazë të ligjit për personat e përfshirë në sulm.

“Personat që janë larguar për në një shtet të tretë duhet të ekstradohen dhe ndiqen penalisht”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

Kur janë bërë një muaj nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, detaje të reja po vazhdojnë të dalin në pah. Pamje të reja janë publikuar, e rrëfimet e tyre i kanë dhënë edhe dy nga policët që ishin pjesë e aksionit.

Kur ekipi i parë i Njësisë Speciale arriti në Banjskë në orët e para të mëngjesit më 24 shtator, ata u ballafaquan me sulme nga 4 deri në 5 drejtime të ndryshme. U sulmuan me armë, mortaja e minahedhës.

Kështu e fillon rrëfimin e tij për “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel, “Polici 1” që ishte pjesë e ekipit të parë të specialëve që shkoi në Banjskë. Normalisht, pa iu zbuluar identiteti, ai tregon se si ishin minutat e parë të ballafaqimit me pjesëtarët e grupit terrorist.

“Fillimisht nuk kemi pasur informata se për çka bëhet fjalë, për çfarë grupi. Është supozuar se mund të jetë grup kriminal apo kontrabandist, por nuk e kemi ditur saktë me çka kemi të bëjmë. Kur kemi mbërri te pjesa poshtë në hyrje të fshatit na kanë sulmuar prej disa drejtimeve 4-5 drejtime të ndryshme me armë e predha të ndryshme, mortaja, minahedhës. Iu kemi përgjigj me aq sa kemi mujt, por veturat kanë filluar me u dëmtu edhe pse ishin të blindume”, tregon pjesëtari i Policisë së Kosovës.

Pas sulmit të ashpër, ai ka treguar se vendosën të presin derisa të zbardhet dita, afërsisht 1 orë pritje. Megjithatë, në asnjë moment gjuajtjet me armë zjarri nuk u ndalën.

“Me sa kemi vërejtur ishin 4-5 ose pika të ndryshme prej të cilave vinte drejtimi, ka qenë natë dhe krejt që kemi parë ka qenë zjarri dhe vatrat e zjarrit, drejtimet prej nga kanë ardhur. Kemi vendosur me bo një pikë të grumbullimit ku kemi qenë, dhe kemi pritur derisa ka zbardhur dita rreth 1 orë 1 orë e gjysmë”

“Vazhdimisht ka pasur shkëmbime, ata e dinin ku jemi ne, por normalisht u kamuflum, i fshehëm veturat i ndalëm dritat, ato gjërat që i bëjnë të gjitha njësitë Speciale. Kanë gjuajtur, mirëpo saktësisht nuk e kanë ditur ku jemi. Kur ka zbardhur dita në bazë të informatave, mandej edhe droni në ajër, e kemi pa saktë me çka kemi të bëjmë. Aty e kemi kuptuar se kemi të bëjmë me grup terrorist”, deklaron ky pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Pasi zbardhi dita, Policia me pamjet nga droni e kuptoi se pjesëtarët e grupit ishin të stërvitur e të armatosur.

“Ajo që dihej është se kishin armatim të rëndë, ishin pozitë më të favorshme, kishin marrë pikat e nalta, kishin mjete të blinduara, kishin anti-tank, kishin të gjitha mjetet. Në bazë të lëvizjeve, bazë mbajtjes së armës, bazë pajisjeve që kishin veshur, koordinimit të tyre, vërehej që nuk është grup i thjeshtë, janë mirë të organizuar dhe trajnuar”, ka treguar ky pjesëtar i Policisë për Top Channel.

Pak minuta më pas, në Banjskë arritën ekipet tjera të Njësive Speciale të Policisë. Një pjesëtar që ishte drejtues i këtij grupi ka treguar se si u sulmuan posa arritën në vendin e ngjarjes.

“Momentin që jemi afruar në afërsi të fshatit kanë filluar shkëmbimi i zjarrit, kanë filluar me gjuajt me minahedhës e me zollë në drejtim tonin. Ka pasur gjuajte nga snajperi dhe mitrolezi. Atëherë na është dashur me zënë një pozitë, me u riroganizu ekipin tjetër që ish mbet në pjesën tjetër, është dashtë me i vendos snajperistët në pikë dhe është dashtë me fillu sulmin për neutralizimin e këtij grupi terrorist”, deklaroi ky pjesëtar i policisë.

Aksionin e Policisë e ka bërë shumë më të vështirë fakti që terroristët ishin të shpërndarë, dhe kishin një pozicion shumë më të përshtatshëm për sulm.

“Nuk ishin të izoluar vetëm rreth kishës, por ishin të shpërndarë rreth gjithë fshatit. Ka qenë e pamundur me ditë numrin e saktë por në bazë të incizimeve që kemi kapur, kemi parë numër rreth 50-60 veta, gjasat janë se kanë qenë mbi 100 vetë”, deklaroi ai më tutje.

“Numri i tyre ishte më i madh se i joni, ata ishin të vendosur në pozicione ku mundeshin me na dëmtu gjithë kohën pa u këqyr civilë, ose dëmtuar civilë. Ne është dashur me selektu çdo cak, çdo lëvizje të tyre. Është dashtë me pas kujdes në çdo objekt civilë mos me u dëmtu gjatë kësaj kohe”, tha ky pjesëtar i Policisë.

Gjatë rrëfimit, polici ka treguar si e rrëzuan dronin grupit terrorist.

“Ishin të pajisur, kishin radio-lidhje, kishin dronë. Pas një kohe të shkrutër e rrëzuam dronin e tyre dhe e ata e hupën shikimin mbi pozita tona”, tha ai.

“Ata ndoshta kishin vetëbesim të tepruar dhe droni arriti me i kap ata, dhe në një moment e kemi kapur udhëheqësin e tyre në atë pjesën që ne i themi shtëpia L”

Por, çka e vështirësoi planin e Policisë për rrethimin e hapësirës?

“Qysh po shihet lartësia mbidetare, hapësira kodrinore, ka qenë e pamundur me u bo rrethimi i gjithë hapësirës, përmes dronit e keni parë vetëm pjesën e manastirit, por ata kanë qenë të shpërndarë në krejt këtë hapësirë këtu. Dhe për me pas nën kontroll krejt këtë hapësirë, është dashur të kemi forca shuma të mëdha”, deklaron ky polic.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *