Driton Hetemi është emëruar Drejtor Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) pa qenë fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.
Ekspertët britanikë kishin rekomanduar dy kandidatë tjerë për këtë pozitë, por Komisioni Përzgjedhës, në krye më Alban Nevzatin, në fund vendosi për Hetemin.
Buletini Ekonomik ka gjetur se Nevzati, i cili aktualisht mban pozitën e anëtarit të Bordit në FKEE, ka qenë punëdhënësi i Hetemit në një kompani private për vite me radhë. Ata kanë miqësi edhe para “vendtakimit” të punës në FKEE.
Të dy së bashku kanë pasur pozita të larta në kompaninë SWINTO, kompani private kjo e cila merret kryesisht me shërbime financiare.
Mirëpo, kjo nuk qenë pengesë për Nevzatin që ta intervistojë në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit, ish-punëtorin e tij.
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në nenin 5, flet për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarit, e që tregon qartë se duhet të shmanget konflikti i interesit edhe atëherë ku ai është vetëm i mundshëm apo në dukje: “Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm, apo në dukje.”
Buletini Ekonomik ka drejtuar pyetje tek Nevzati e Hetemi për t’i pyetur për mundësinë e konfliktit të interesit dhe pse nuk kanë ndërmarrë veprime për shmangien e konfliktit të mundshëm të interesit.
Në një përgjigje përmes emailit zyrtar të Fondit për Efiçiencë thuhet se këtu nuk bëhet fjalë për konflikt të interesit, për faktin se tashmë të dy të përmendurit nuk punojnë më në kompaninë Swinto. Por pranojnë se në Swinto, Nevzati ka qënë punëdhënës, ndërsa Hetemi punëmarrës.
“Ju informojmë se Alban Nevzati nuk është pjesë e kompanisë “Swinto” që nga muaji shkurt i këtij viti, kur edhe është shkëputur nga të gjitha rolet atje (pronësore dhe mbikqyrëse). Rrjedhimisht, nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi gjatë procesit të rekrutimit për pozitën e Drejtorit Menaxhues të FKEE-së, me asnjë kandidat”, kanë thënë nga FKEE.
Mandati i Hetemit si Drejtor Menaxhues në FKEE do të jetë tre vjeçar.
Gjithashtu, nga Fondi për Efiçiencë kanë pohuar se tashmë edhe Hetemi nuk punon më në kompanin Swinto, që nga marrja e pozitës në Fond.
“Ju informojmë se Driton Hetemi nuk është më pjesë e kompanisë “Swinto”, dhe i njëjti ka filluar punën në FKEE si Drejtor Menaxhues, pas propozimit të Komisionit Vlerësues dhe pas emërimit nga Bordi i FKEE-së, në harmoni me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-079 për Efiçiencë të Energjisë dhe ato të rregulloreve të brendshme me të cilat FKEE operon”.
Nga ana tjetër, nga Ambasada Britanike kanë konfirmuar për Buletinin Ekonomik se Driton Hetemi ka qenë pjesë e intervistimit, porse emri i tij nuk është kualifikuar për listën e ngushtë të kandidatëve potencial për këtë pozitë.
“Driton Hetemi ka qenë njëri nga kandidatët që ka aplikuar dhe që është intervistuar. Ekpsertët Britanikë kanë rekomanduar vetëm dy kandidatë të emërueshëm për pozitën: Burim Lecin dhe Arben Avdylin”, thuhet në përgjigjet e Ambasadës Britanike.
Sipas tyre, çdo emërim i cili bëhet jashtë listës së rekomanduar nga ekspertët britanikë, gjë për të cilën edhe janë të thirrur nga institucionet publike kosovare, është mos-sukses i organeve të shtetit të Kosovës.
“Ambasada Britanike përmes financimit të projektit të Rekrutimit, ndihmon institucionet e Kosovës në zhvillimin e proceseve rekrutuese transparente dhe të bazuara në merita për pozitat e dakorduara parapraksiht me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës. E kemi thënë sa herë se nëse emërimi i kandidatëve bëhet nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga ekspertët Britanik, atëherë kjo është një sukses për institucionet e Kosovës që emërojnë kandidatë të përgatitur profesionalisht. Por çdo emërim tjetër jashtë listës së rekomanduar është mos-sukses i institucionëve të Kosovës. Dhe për këtë duhet të mbani përgjegjëse institucionet e Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjet e Ambasadës Britanike në Kosovë.
Ndryshe, në listën e ngushtë të kësaj Ambasade ishin: Burim Leci me 25.5 pikë të fituara dhe Arben Avdyli me 23 pikë, ndërsa pikët maksimale ishin 40.