Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të dielën ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e paraburgimit për A.D., i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.
Në njoftim thuhet se: “A.D., me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare”.
“Përderisa policët gjatë një pikë kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë i dyshuari A.D., ikë këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin”, thuhet në njoftim.
I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., pasi sipas Policisë, dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin A.D., pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.