Kryeministri Albin Kurti shkroi sot në Facebook se “sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit”.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta formojnë një Gjykatë Speciale për këtë klan, pasi tha se “Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi”.
“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, shkroi Kurti.
Ai tha se në krye të këtij klani “ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.
“Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, shkroi Kurti.
Kush është Adrej Vuçiq në të vërtetë dhe lidhjet e tij me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin?
Në fillim të këtij viti, Borislav Novakoviq, ish kryetar i Novi Sadit dhe deputet i partisë opozitare “Lëvizja Popullore e Serbisë’, ka deklaruar para një tubimi gjatë vikendit se tashmë ky qytet menaxhohet nga Andrej Vuçiq dhe organizata kriminale e orkestruar nga Zvonko Veselinoviq, shkruajnë mediat serbe.
Ky deputet opozitar gjithashtu ka deklaruar se “në Serbi ka një dominim të plotë të krimit në shoqëri – mbi gjithçka”, shkruan Ballkani.info.
Millosh Vuçeviq (majtas) dhe Andrej Vuçiq në Novi Sad
Ai vlerësoi gjithashtu se 50 për qind e qytetarëve jetojnë në prag të ekzistencës, që sipas tij është një tjetër arsye pse kjo qeveri duhet të shkojë.
Por, ky ish-kryetar i qytetit të Novi Sadit shpesh ka pyetur ministrat e partisë në pushtet në Serbi dhe Vuçiqin për lidhjet e zyrtarëve edhe të Listës Serbe nga Kosova të cilët sipas tij tashmë janë vendosur në qytetin që dikur e udhëhiqte.
Gjatë muajit qershor, ai në parlamentin e Serbisë kishte bërë disa pyetje në drejtim të ministrave të partisë SNS të Vuçiqit.
“A u transferuan Goran Rakiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiciq në Novi Sad?”, kishte pyetur gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë ministrin e policisë Bratisllav Gashiq.
“A është ai kryetar i Listës Serbe apo i Listës së Novi Sadit? A e zhvendosi veten dhe familjen e tij në Novi Sad dhe a i la njerëzit në mëshirën e Kurtit”, pyeste Novakoviq.
Ai po ashtu ka vlerësuar se është shqetësues fakti që Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq “erdhën për të jetuar me të në Novi Sad”.
Ndryshe Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq janë persona në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.
Veselinoviq dhe Andrej Vuçiq
Ata janë bashkëpunëtorë të ngushtë të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet – ata kanë qenë të lidhur me krime të rënda disa herë, por asnjëherë nuk janë dënuar gjersa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përpjekur fuqishëm të mohojë lidhjet me ta.
Radoiçiq ka qenë deri tash nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë dhe është personi kryesor, njerëz nga grupi terrorist i të cilit kanë vrarë pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë. /Ballkani.info/