Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat me opozitën.
Këto komente ajo i bëri pas deklarimit të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu Shoshi e cila theksoi se pushteti aktual po tenton ta kthejë vendin nga demokracia në autokraci.
Pas deklaratës së Haxhiut kanë folur edhe deputetët e opozitës.
Paraprakisht ministrja ka kritikuar institucionet për mos efikasitet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, raporton KP.
Haxhiu në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje deklaroi se gjatë këtij viti kanë ndarë buxhet rreth 900 mijë euro për strehimoret. Sipas saj, ky është buxheti më i lartë krahasuar me vitet paraprake.
Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mentaliteti patriarkal, siç tha Haxhiu, janë faktorët kryesor që po ndikojnë në rritjen e dhunës në familje.
“Ne kemi databazën në kuadër të MD-së ku shohim futjen e të dhënave nga strehimoret, policia, prokuroria e gjykatat. Institucionet që janë kyçe në këtë proces nuk po fusin të dhënat, përkundër faktit që kanë llogari. Hallkat elektronike tashmë ne kemi ndërmarrë, qeveria për herë të parë ka ndarë në buxhet, tashmë janë në fund të procesit”, deklaroi ajo.
Para anëtarëve të këtij komisioni, Haxhiu shtoi se ka shumë punë për të bërë sa i takon rasteve të dhunës në familje.
Ajo tha se ende nuk ka raste disiplinore për institucionet që nuk po kryejnë detyrën e tyre si duhet.
“Që nga momenti qe kam pranuar detyrën, çështja e dhunës në familje është bërë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Prandaj besoj që pajtoheni që në dy vite e gjysmë i është dhënë vëmendje institucionale dhunës në familje dhe në bazë gjinore. Nuk ka ndonjë vend tjetër që ofron ndihmë juridike falas. Po ashtu kemi hequr procedurat burokratike për viktimat e krimit”, tha Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se gjatë fushatës të 16 ditëve të aktivizmit, do të lansojnë projektin për punësimin e grave të dhunuara.