At Nikolla Xhufka, i ftuar në rubrikën “Trotuar”, foli për vendimin e ish-reperit Fero, i cili la muzikën për t’iu përkushtuar fesë islame.
Çfarë mendimi keni për rreperin Fero që hoqi dorë nga muzika dhe u bë mysliman i devotshëm?
“Nga një ekstrem vajti në një ekstrem tjetër. Ai që dedikohet në një fe, edhe nga dashuria e madhe që ka për fenë, nuk mund të thotë kurrë ‘kush e shan Allahun ka punë me mua’, nuk mund të kërcënohen njerëzit. Ai mund të thojë, ‘kush e shan Islamin mund të vijë tek unë dhe ta bëj besimtar’”, tha prifti.
“Besimtari ka dashuri, jo gangsterllëk”, shton At Nikolla.
Fero, gjithashtu është përfshirë shumë herë në raste të dhunës, shpesh të publikuara edhe në rrjet. I pyetur nga Eriola Doçi se a i falet kjo, prifti tha se nëse pendohet, po i falet.
Eriola: Edhe mëkati më i madh që mund të bësh nëse pendohesh të falet?
At Nikolla: Po, edhe mëkati më i madh, nëse pendohesh me gjithë shpirt dhe pendimi është me vepra dashurie….
Fero pak javë më parë, e dha lajmin në një postim në Instagram, ndërsa fshiu të gjitha fotot nga profili i tij dhe i bëri thirrje njerëzve që të mos i dëgjojnë këngët e tij.
Ky vendim i tij vjen pas trazirave në jetën e tij private, nga arrestimi për dhunë ndaj partneres së tij, Arbentina Ismajli dhe divorci mes tyre.
Ai gjithashtu ka treguar se ka ndryshuar emrin e tij nga Feronit Shabani në Khattab./Top Channel