Komuniteti shqiptaro-amerikan sot më 23 tetor, do të protestojë para selisë së OKB-së në New York, kundër terrorizimit dhe veprimeve luftënxitëse të Serbisë.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
“Të Hënën, më 23 Tetor 2023, komuniteti Shqiptaro-Amerikan do të protestojë para Selisë së OKB-së në Sheshin Dag Hammarskjöld në New York për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë. Shqiptaro-Amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se së fundmi më 29 maj, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.
“Më 24 Shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.
Komuniteti shqiptaro-amerikan thekson se “rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti”.
“Nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar”, është thënë në njoftim.