Lajçak: 24 shtatori s’e ndryshon faktin se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshje për normalizim

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i emisarëve evropian dhe të SHBA-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak, mes tjerash potencoi se temë e diskutimit ka qenë edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se e dënojnë sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më datën 24 shtator, teksa shtoi se presin nga Serbia bashkëpunim në këtë drejtim.

“Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd kemi diskutuar me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti se si të avancohet normalizimi i marrëdhënieve dhe të arrihet progres në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Temë e diskutimit ishte edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak.

“Ne nënvizuam të dy liderët se ngjarjet e 24 shtatorit përbëjnë një përshkallëzim të qartë dhe të paprecedentë, i cili tregon gjithashtu se si de-përshkallëzimi ashtu edhe normalizimi janë tani më urgjente se kurrë. Së bashku me partnerët tanë, ne qëndrojmë të bashkuar në dënimin e sulmeve terroriste dhe theksojmë se të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, duke pritur bashkëpunim të plotë nga Serbia në këtë drejtim”.

Emisari evropian vuri në dukje se marrëveshja që është arritur duhet të zbatohet nga dy palët.

“Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë hyrë në marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit në fillim të këtij viti. Në diskutimet tona kemi përcjellë pritjen që Kosova dhe Serbia të përmbushin plotësisht obligimet e tyre në dialog. Çdo kusht apo vonesë është e papranueshme”, përfundoi Lajçak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *