Sveçla: Pantiq e bleu lirinë me para të krimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, ka reaguar pas lirimit me dorëzani të Dejan Pantiqit.

Sveçla ka thënë se ai është liruar me para të krimit, teksa ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar.

“Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona” k thënë mes të tjerash Sveçla.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani

Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë.

Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan insitucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona.

Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës.

Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *