Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për mënyrën se si është mbajtur dje seanca e thirrur nga opozita për mbështetje financiare për Policinë e Kosovës.
KDI ka shpjeguar se vendimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për mbajtjen e seancës pa u plotësuar kuorumi krijon precedent dhe nuk duhet të lejohet.
“Gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga deputetët opozitarë. Ndonëse, e thirrur për të trajtuar një temë të rëndësishme – Rezolutën për mbështetje urgjente financiare të Policisë së Kosovës, deputetët e shumicës parlamentare të udhëhequr nga VV-ja nuk morën pjesë dhe kjo seancë nuk plotësoi kushtet ligjore për të filluar. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë që për të filluar një seancë vendimmarrëse nevojitet domosdoshmërisht kuorum, përkatësisht 61 deputetë”, thotë KDI.
Po ashtu, Instituti ka kritikuar deputetët e pozitës për papërgjegjshmëri.
“Përkundër që deputetët partisë në pushtet edhe këtë herë treguan mungesë të përgjegjësisë kundrejt funksionit që ata bartin, Kryetari i Kuvendit mundësoi zhvillimin e debatit dhe shprehjen e opinioneve opozitare rreth kësaj teme. Megjithatë, kjo praktikë nuk duhet lejuar të përsëritet sepse mund të krijojë precedent të gabuar, duke lënë në mundësi të vullnetit individual apo grupor vendimin për mbajtje të seancave”.