Janë “tri elemente” që Lidhja Demokratike e Kosovës i sheh “të gabuara” në marrëveshjen frankogjermane të arritur në shkurt dhe mars të këtij viti për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, ka thënë kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, mbrëmë në një paraqitje televizive në KTV.
E para, tha Abdixhiku, marrëveshja “nuk është përfundimtare, por e ndërmjetme”; që Kosovën e lë në dialogim me Serbinë për së paku edhe dhjetë vite; e dyta, që “nuk është ligjërisht e obligueshme”; dhe e treta dhe më e vështira për t’u përtypur, Neni 7, përmban instrument vetëqeverisës për komunitetin serb të Kosovës.
Për këtë të fundit, Abdixhiku, dha edhe një tablo mjaft të frikshme, për aq sa i ka parë se cilat janë modelet që Bashkimi Evropian i ka në tryezë; e përmes të cilave pritet që të materializohet ajo në praktikë.
“I kam parë 15 modelet (e BE-së)”, tha Abdixhiku, teksa u mëshoi toneve shqetësuese se “(ato modele) janë të trishtueshme” për nga niveli i autonomisë që përmbajnë për komunat të banuara me shumicë serbe.
“Kemi përfunduar në marrëveshjen e Ohrit, në tri elemente që i kemi kritikuar. S’është përfundimtare, por bazë. Unë them se janë harruar parimet. Thuhet se do të negociohet për 10 vjetët e ardhshme. S’është ligjërisht e obligueshme sepse s’e parandalon sjelljen e palës tjetër. E treta më e rënda, përmban instrument vetëmenaxhues, që në interpretimin tonë nga Karta për menaxhim lokal nënkupton që tejkalojnë asociacionin që kemi tash. Kam parë 15 modelet – janë të trishtueshme”, ka thënë Abdixhiku.
Se në tryezë ishin 15 modele për Asociaiconin i pari e kishte zbuluar vetë ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak, në mars të këtij viti, ku shprehej se do të shërbejnë “si frymëzim” për të ndërtuar një Asociacion të bëshëm në Kosovë.
“E kam thënë disa herë publikisht se në tavolinën time janë 15 modele të ndryshme europiane që mund të shërbejnë si frymëzim. Për ata që kanë frikë se modelet do të çojnë në mosfunksionim, asnjë nga këto modele nuk ka krijuar mosfunksionim, përkundrazi, ato kanë çuar në një transparencë më të madhe, një besim më të madh midis komuniteteve. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se duhet të frymëzohemi nga modelet evropiane në vend që të përpiqemi të krijojmë diçka që nuk është testuar kurrë askund tjetër dhe nuk e dimë se si do të funksionojë”, shprehej Lajçak në një intervistë me “KoSSeV”.
Lajçak shprehej se “nuk ka asgjë për të pasur frikë” në lidhje me këto modele që i kishte edhe “model inspirimi” për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.
“Përkundrazi, zgjidhja duhet të përmirësojë komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave me shumicë serbe, të përmirësojë komunikimin ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë në Prishtinë dhe të vendosë rregulla të qarta për komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komunitetit serb në Kosovë dhe qeverisë. në Serbi”, thoshte Lajçak.
Paralajmërim i Abdixhikut vjen mu në kohën kur – nesër – në Prishtinë dhe Beograd zbarkojnë ajo që është pagëzuar si “pesëshja e madhe” e ku pritet që të sjellin me vete edhe “ultimatum” ndaj liderëve për të zbatuar përfundimisht Marrëveshjen Bazike.
Për Kosovën, shpallja e sa mëparshme e zgjedhjeve dhe zbatimi i menjëhershëm i Asociacionit ndërsa për Serbinë zbulimi i tërësishëm i sfondit të sulmit terrorist dhe paramilitar në Bansjkë të Zveçanit; priten të jenë ndër kryemesazhet që kjo “pesëshe” do të sjellë me vete.